2 Samuelit 2

Davidi shpallet mbret i Judës

Pas kësaj Davidi pyeti Zotin: «A të shkoj te ndonjë qytet i Judës?». Zoti i tha: «Shko!». Davidi e pyeti: «Në cilin qytet?». Ai i tha: «Në Hebron». Davidi shkoi atje bashkë me dy gratë e tij, Ahinoamën, izreliten, dhe Abigajlën, ish gruan e Nabal Karmelitit. Davidi mori me vete edhe njerëzit e tij, secilin me familjen e vet, dhe banuan në qytetin e Hebronit. Atëherë burrat e Judës erdhën dhe e vajosën Davidin mbret mbi shtëpinë e Judës. Kur e njoftuan Davidin se Saulin e kishin varrosur njerëzit e Jabesh Gileadit, ai dërgoi lajmëtarë te njerëzit e Jabesh Gileadit e u tha: «Zoti ju bekoftë, se u treguat besnikë ndaj Saulit, zotërisë tuaj, dhe e varrosët. Zoti qoftë i dashur dhe besnik me ju! Edhe unë do të tregohem i mirë me ju për çfarë bëtë. Tani merrni zemër e bëhuni të fortë, se Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më vajosi mua mbret të tyre».

Ishbosheti shpallet mbret i Izraelit

Ndërkohë Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së Saulit, mori Ishboshetin, të birin e Saulit, e solli në Mahanaim dhe e vajosi mbret mbi Gileadin, Asherin, Izrelin, Efraimin, Benjaminin dhe mbi tërë Izraelin. 10 Ishbosheti, biri i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të sundonte mbi Izrael. Ai mbretëroi dy vjet. Vetëm shtëpia e Judës ndiqte Davidin. 11 Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës shtatë vjet e gjashtë muaj.

Beteja e Gibeonit

12 Abneri, biri i Nerit, dhe shërbëtorët e Ishboshetit, birit të Saulit, dolën nga Mahanaimi për në Gibeon. 13 Doli edhe Joabi, biri i Cerujahut, bashkë me shërbëtorët e Davidit, dhe u ndeshën te pellgu i Gibeonit. Njëra palë qëndroi në njërën anë të pellgut dhe tjetra matanë. 14 Atëherë Abneri i tha Joabit: «Të çohen djelmoshat e të luftojnë para nesh». Joabi i tha: «Po, të çohen!». 15 U çuan dymbëdhjetë djelmosha prej Benjaminit dhe Ishboshetit, birit të Saulit, dhe dymbëdhjetë prej shërbëtorëve të Davidit. 16 Secili e kapi kundërshtarin prej koke dhe i nguli shpatën në ijë. Vdiqën të gjithë njëherësh, prandaj dhe ai vend në Gibeon quhet Helkat Hacurim. 17 Pastaj filloi një betejë shumë e ashpër. Abneri dhe izraelitët u shpartalluan prej shërbëtorëve të Davidit.

18 Aty ishin tre bijtë e Cerujahut, Joabi, Abishai dhe Asaheli. Asaheli ishte këmbëshpejtë si sorkadhja. 19 Ai iu vërsul Abnerit dhe e ndoqi pa u shmangur as majtas, as djathtas. 20 Abneri kthehu kokën e i tha: «Ti je, o Asahel?». Ai iu përgjigj: «Unë jam!». 21 Abneri tha: «Kthehu majtas ose djathtas, kap ndonjë djalosh dhe plaçkite». Por Asaheli nuk donte të hiqte dorë. 22 Atëherë Abneri i tha sërish: «Kthehu e mos më ndiq, se do të të hedh përtokë e pastaj nuk do ta shoh dot në sy vëllanë tënd, Joabin». 23 Por ai nuk pranoi të kthehej. Atëherë Abneri e qëlloi në bark me bishtin e heshtës dhe ajo e shpoi tejpërtej. Asaheli ra e vdiq në atë vend. Kushdo që kalonte nga vendi ku vdiq Asaheli, ndalej.

24 Joabi dhe Abishai e ndoqën Abnerin. Dielli po perëndonte kur ata arritën te kodra e Amahut, kundruall Giahut, udhës për në shkretëtirën e Gibeonit. 25 Benjaminasit u mblodhën si çetë rreth Abnerit dhe zunë vend majë një kodre. 26 Atëherë Abneri i thirri Joabit: «Përjetë do të hajë shpata? A s’e sheh se fundi është i hidhur? Deri kur do t’i urdhërosh njerëzit të përndjekin vëllezërit e vet?». 27 Joabi iu përgjigj: «Pasha Perëndinë, po të mos kishe folur, vëllai do të kishte ndjekur vëllanë deri në të gdhirë». 28 Atëherë Joabi i ra borisë dhe mbarë populli u ndal. Ata nuk e ndoqën Izraelin dhe nuk pati më luftë mes tyre.

29 Abneri me njerëzit e tij udhëtuan tërë natën për në Arabah, kaluan Jordanin për në Bitron dhe mbërritën në Mahanaim. 30 Joabi nuk e ndoqi më Abnerin. Kur u mblodh populli, panë se mungonin Asaheli dhe nëntëmbëdhjetë shërbëtorë të Davidit. 31 Shërbëtorët e Davidit kishin vrarë treqind e gjashtëdhjetë benjaminas prej njerëzve të Abnerit. 32 Asahelin e morën dhe e varrosën te varri i të atit në Betlehem. Joabi dhe njerëzit e tij udhëtuan tërë natën dhe në agim mbërritën në Hebron.