Zbulesa 2

Për kishën e Efesit

«Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: kështu thotë ai që mban shtatë yjet në dorën e tij të djathtë, ai që ecën mes shtatë shandanëve të artë: i njoh veprat e tua, mundimin dhe durimin tënd. Di edhe se nuk i duron të këqijtë dhe i vure në provë ata që e quajnë veten apostuj, por që në të vërtetë nuk janë dhe që të dolën gënjeshtarë. Ke bërë durim, ke vuajtur për emrin tim e nuk je lodhur.

Por, kam diçka kundër teje. Dashurinë tënde të parë e harrove. Kujtohu, pra, sa poshtë ke rënë, pendohu dhe bëj veprat e para. Nëse nuk pendohesh, do të vij dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi. Por ti ke këtë të mirë, se i urren veprat e nikolaitëve që edhe unë i urrej.

Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton, do t’i jap të hajë nga pema e jetës që është në parajsën e Perëndisë».

Për kishën e Smirnës

«Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: kështu thotë i pari dhe i fundit, që vdiq, por u kthye në jetë: e njoh pikëllimin dhe varfërinë tënde, por je i pasur. I di edhe fyerjet që thonë kundër teje ata që hiqen se janë judenj e që në të vërtetë nuk janë, por janë sinagogë e Satanit.

10 Mos ki frikë nga ato që do të vuash! Ja, djalli do të hedhë në burg disa prej jush, që të viheni në provë dhe për dhjetë ditë do të keni pikëllim. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.

11 Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: ai që fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë».

Për kishën e Pergamit

12 «Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: 13 ç e di ku banon, atje ku është froni i Satanit. E ke ruajtur emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin në mua edhe gjatë ditëve të Antipës, dëshmitarit tim besnik, që u vra mes jush atje ku banon Satani.

14 Por kam disa gjëra kundër teje. Ke aty disa që ndjekin mësimin e Balaamit, që e mësonte Balakun t’u bëhej pengesë bijve të Izraelit, t’i bënte të hanin flijime idhujsh e të jepeshin pas kurvërisë. 15 Ke edhe nga ata që ndjekin mësimin e nikolaitëved16 Pendohu, pra! Përndryshe do të vij së shpejti e do t’i luftoj me shpatën e gojës sime.

17 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton do t’i jap nga mana e fshehur. Do t’i jap edhe një gur të bardhë, ku do të jetë shkruar një emër i ri që askush nuk e di, përveç atij që e merr».

Për kishën e Tiatirës

18 «Engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: kështu thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e të cilit ngjajnë me bronz të kulluar: 19 i njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe durimin tënd. Di edhe që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. 20 Por kam diçka kundër teje. Ti lejon Izebelën, një grua që e quan veten profeteshë, të mësojë e të mashtrojë shërbëtorët e mi, duke i shtyrë të jepen pas kurvërisë e të hanë flijime idhujsh. 21 I dhashë kohë të pendohet, por ajo nuk dëshiron të heqë dorë nga kurvëria e saj.

22 Ja, unë do ta bëj të zërë shtratin dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore me të do të kenë vuajtje të mëdha nëse nuk pendohen për ato që bëjnë. 23 Bijtë e saj do t’i ndëshkoj me vdekje dhe le ta marrin vesh të gjitha kishat se unë jam ai që shqyrton mendimet dhe dëshiratdh. Secilit prej jush do t’i jap sipas veprave të veta.

24 Ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk i ndiqni mësimet e saj e nuk i njihni ato që i quajnë “thellësitë e Satanit”, nuk do t’ju vë barrë tjetër, 25 por mbani fort ato që keni, derisa të kthehem unë.

26 Atij që fiton dhe bën deri në fund veprat e mia,

do t’i jap pushtet mbi kombet,

27 të cilat ai do t’i udhëheqë me skeptër të hekurt

e do t’i thyejë si enë balte,

28 ashtu siç e mora edhe unë pushtetin nga Ati im. Atij do t’i jap edhe yllin e mëngjesit.

29 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».


 ç2.13 dorëshk. të tjera edhe: I njoh veprat e tua

 d2.15 dorëshk. të tjera edhe: të cilën gjë e urrej

 dh2.23 ose: veshkat dhe zemrat