Zbulesa 19

Pastaj dëgjova në qiell një si zë të lartë turme të madhe që tha:

«Aleluja!

Shpëtimi, lavdia e fuqia

i përkasin Perëndisë tonë,

se gjykimet e tij janë të vërteta e të drejta.

Ai e gjykoi laviren e madhe

që e çoi tokën në shthurje me kurvërinë e saj

dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij

të vrarë nga duart e saj».

Pastaj thanë përsëri:

«Aleluja!

Tymi i shkrumbimit të saj ngjitet lart,

në shekuj të shekujve».

Atëherë të njëzet e katër pleqtë e të katër gjallesat ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë që rri ulur në fron duke thënë:

«Amen! Aleluja!».

Dasma e Qengjit

Pastaj nga froni doli një zë që tha:

«Lëvdoni Perëndinë tonë

të gjithë ju shërbëtorët e tij

dhe ju që e druani,

të mëdhenj e të vegjël».

Dëgjova edhe një si zë turme të madhe, posi ushtimë detesh e bubullimash të forta që tha:

«Aleluja!

Mbretëroi Zoti,

Perëndia ynë i gjithëpushtetshëm.

Le të gëzohemi e të ngazëllehemi,

le t’i japim lavdi atij,

se erdhi dasma e Qengjit

dhe nusja është bërë gati».

Asaj i dhanë për të veshur

një rrobë të ndritshme prej liri të pastër.

Kjo rrobë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve.

Pastaj engjëlli më tha: «Shkruaj: lum ata që janë ftuar në darkën e dasmës së Qengjit». Dhe shtoi: «Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë».

10 Unë rashë përmbys para këmbëve të tij për ta adhuruar, ndërsa ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që ruajnë dëshminë e Jezuit. Adhuro Perëndinë!». Dhe dëshmia e Jezuit është shpirti i profecisë.

Kalorësi me kalin e bardhë

11 Pastaj pashë qiellin të hapur dhe një kalë të bardhë. Kalorësi quhej «Besimtar dhe i Vërtetë». Ai gjykon e lufton me drejtësi. 12 Sytë e tij ishin si flakë zjarri, ndërsa mbi kokë mbante shumë kurora të vogla. Ai kishte të shkruar një emër që nuk e dinte askush përveç tij. 13 Ishte i veshur me rroba të ngjyera në gjak dhe mbante emrin «Fjala e Perëndisë». 14 Pas tij vinin ushtritë e qiellit, hipur mbi kuaj të bardhë dhe veshur me rroba të ndritshme prej liri të pastër. 15 Nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me të cilën do të mposhtë kombet. Ai do t’i sundojë me skeptër të hekurt dhe do ta shtrydhë rrushin në vozën e verës së zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. 16 Mbi rrobë dhe mbi kofshë kishte të shkruar emrin «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve».

17 Pastaj pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai u foli me zë të fortë të gjithë shpendëve që fluturonin në mes të qiellit: «Ejani e mblidhuni në darkën e madhe të Perëndisë, 18 që të hani mish mbretërish, prijësish ushtarakë e të fortësh, mish kuajsh e kalorësish, mishin e të gjithë njerëzve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj».

19 Atëherë pashë bishën dhe mbretërit e tokës me ushtritë e tyre që ishin mbledhur për të luftuar kundër atij që rrinte mbi kalë dhe ushtrisë së tij. 20 Bisha u kap dhe bashkë me të edhe profeti i rremë që në prani të saj bënte shenja, me të cilat mashtronte ata që kishin marrë damkën e bishës dhe që kishin adhuruar shëmbëlltyrën e saj. Pastaj, që të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. 21 Të tjerët u vranë nga shpata që dilte nga goja e kalorësit dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishin e tyre.