Zbulesa 11

Dy dëshmitarët

Pastaj më dhanë një shkop matës që ngjante me një skeptër dhe më thanë: «Ngrihu e mat tempullin e Perëndisë dhe altarin e numëro ata që adhurojnë atje. Oborrin e jashtëm të tempullit lëre mënjanë e mos e mat, sepse u është dhënë kombeve që do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj. Gjatë atyre një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditëve do të dërgoj dy dëshmitarët e mi të veshur me rroba zie për të profetizuar.

Këta janë dy ullinjtë dhe dy shandanët që qëndrojnë para Zotit të tokës. Nëse dikush dëshiron t’u bëjë keq, nga goja e tyre do të dalë zjarr që do t’i përpijë armiqtë e tyre. Kështu do të vritet ai që dëshiron t’u bëjë keq. Ata kanë pushtet për të mbyllur qiellin, që të mos bjerë asnjë pikë shi gjatë ditëve kur ata do të profetizojnë. Kanë edhe pushtet t’i kthejnë ujërat në gjak dhe ta godasin tokën me epidemi sa herë të duan.

Kur të kenë mbaruar së dëshmuari, bisha që ngjitet prej humnerës do të bëjë luftë me ta, do t’i mundë e do t’i vrasë. Kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili në mënyrë simbolike quhet Sodomë dhe Egjipt, qyteti ku u kryqëzua Zoti i tyre.

Njerëzit nga të gjithë popujt, fiset, gjuhët e kombet do t’i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë dhe nuk do të lejojnë t’i varrosin. 10 Banorët e tokës do të gëzohen për ta, do të festojnë e do t’i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse dy profetët i kishin munduar. 11 Por, pas tri ditë e gjysmë shpirti i jetës erdhi nga Perëndia dhe hyri tek ata. Dy dëshmitarët u ngritën në këmbë dhe ata që i shikonin i zuri një frikë e madhe.

12 Atëherë dëgjuan një zë të fortë nga qielli që u tha: “Ngjituni këtu lart!”. Ata u ngjitën në qiell mbi një re dhe armiqtë e tyre i panë. 13 Në atë çast ra një tërmet i madh dhe u shkatërrua një e dhjeta e qytetit. Nga tërmeti u vranë shtatë mijë njerëz, ndërsa të tjerëve u hyri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit».

14 Mjerimi i dytë shkoi. Ja ku po vjen me shpejtësi mjerimi i tretë.

Trumbeta e shtatë

15 I ra trumbetës engjëlli i shtatë. Atëherë në qiell u dëgjuan zëra të lartë që thoshin:

«Mbretërimi i botës i përket Zotit tonë

dhe Krishtit të tij,

ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve».

16 Njëzet e katër pleqtë që qëndronin të ulur nëpër frone para Perëndisë, ranë me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë 17 kështu:

«Të falënderojmë, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm,

që je e që ishei,

sepse e more në dorë fuqinë tënde të madhe

dhe mbretëron.

18 Kombet u zemëruan,

por ja ku erdhi zemërimi yt!

Erdhi koha për të gjykuar të vdekurit,

për t’u dhënë shpërblimin shërbëtorëve të tu,

profetëve, të shenjtëve, atyre që e druajnë emrin tënd,

të vegjëlve e të mëdhenjve

dhe për të shkatërruar ata që shkatërrojnë tokën».

19 Pastaj u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe atje u duk arka e besëlidhjes së tij. Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima, tërmet dhe një breshër i fortë.


 i11.17 dorëshk. të tjera edhe: e që po vjen