Zanafilla 7

Përmbytja

Zoti i tha Noeut: «Hyr në arkë, ti e gjithë familja jote, sepse në këtë brezni ty të gjeta të drejtë. Prej çdo kafshe që është e pastër, merr me vete shtatë çifte, mashkull e femër, ndërsa prej kafshëve të papastra merr një çift, mashkull e femër. Po ashtu, prej shpendëve të qiellit merr shtatë çifte, mashkull e femër, që fara e tyre të mbetet gjallë mbi tërë faqen e dheut. Sepse pas shtatë ditësh, unë do të bëj të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e net dhe do të shuaj nga faqja e tokës çdo gjë të gjallë që bëra». Noeu bëri gjithçka që Zoti i urdhëroi.

Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur u përmbyt toka. Ai hyri në arkë bashkë me të bijtë, me të shoqen e me gratë e bijve të tij për t’u shpëtuar ujërave të përmbytjes. Prej kafshëve të pastra e të papastra, prej shpendëve e prej çdo zvarraniku mbi tokë, dy e nga dy, mashkull e femër, erdhën te Noeu dhe hynë në arkë, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. 10 Dhe pas shtatë ditësh ujërat e përmbytjes vërshuan mbi tokë.

11 Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të dytë, shpërthyen tërë burimet e humnerës së madhe dhe kanatet e qiellit u hapën. 12 Mbi tokë ra shi për dyzet ditë e net. 13 Në të njëjtën ditë Noeu e bijtë e tij, Kami, Semi e Jafeti, bashkë me të shoqen dhe me tri gratë e bijve të tij, hynë në arkë. 14 Ata e çdo kafshë e egër sipas llojit të vet, çdo bagëti sipas llojit të vet e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë sipas llojit të vet, çdo shpend sipas llojit të vet e çdo zog fluturak 15 erdhën te Noeu e hynë në arkë, dy e nga dy nga çdo qenie e gjallë. 16 Nga çdo qenie e gjallë hynë mashkull e femër, ashtu siç Perëndia e kishte urdhëruar Noeun. Pastaj Zoti e mbylli arkën.

17 Toka u përmbyt për dyzet ditë. Ujërat u shtuan dhe e ngritën arkën nga toka. 18 Ujërat u rritën e u shtuan shumë mbi tokë, por arka lundronte mbi ujë. 19 Ato u rritën aq shumë saqë mbuluan tërë malet e larta nën tërë qiellin. 20 Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kute mbi to e malet u mbuluan. 21 Kështu mori fund çdo qenie e gjallë që lëviz mbi tokë: shpendët, bagëtitë, kafshët e egra, tërë zvarranikët që zvarriten mbi tokë dhe gjithë njerëzimi. 22 Vdiq gjithçka e gjallë mbi dhe. 23 Ai shuajti çdo gjë të gjallë që ishte mbi faqen e dheut, nga njeriu deri te bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit. Ato u shuan nga toka. Vetëm Noeu e ata që ishin me të në arkë mbetën gjallë. 24 Ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.