Zanafilla 42

Bijtë e Jakobit në Egjipt

Jakobi pa se kishte grurë në Egjipt e u tha të bijve: «Ç’më shikoni njëri-tjetrin? Dëgjova se në Egjipt ka grurë. Shkoni atje e na blini grurë, që të mbetemi gjallë e të mos vdesim». Kështu, të dhjetë vëllezërit e Jozefit shkuan për të blerë grurë në Egjipt. Por Benjaminin, vëllain e Jozefit, Jakobi nuk e dërgoi me ta, se kishte frikë mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Kështu, bijtë e Izraelit erdhën për të blerë grurë bashkë me njerëz të tjerë, sepse në tokën e Kanaanit kishte rënë zia e bukës.

Jozefi ishte i pari i vendit. Ai i shiste grurë tërë popullit. Atëherë vëllezërit e Jozefit erdhën e iu përkulën me fytyrë përdhe. Jozefi i pa vëllezërit dhe i njohu, por i trajtoi si të huaj e u foli ashpër: «Nga vini?». Ata u përgjigjën: «Vijmë nga toka e Kanaanit për të blerë ushqime». Edhe pse Jozefi i njohu vëllezërit, ata nuk e njohën. Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë dikur për ta. Atëherë u tha: «Jeni spiunë! Keni ardhur të zbuloni vendet e pambrojtura». 10 Por ata i thanë: «Jo, imzot. Shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime. 11 Të gjithë ne jemi bijtë e një njeriu. Jemi njerëz të ndershëm. Shërbëtorët e tu nuk janë spiunë». 12 Ai u tha: «Jo! Keni ardhur që të zbuloni vendet e pambrojtura!». 13 Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë dymbëdhjetë vëllezër, bij të një njeriu nga toka e Kanaanit. Vëllai i vogël është me atin tonë, ndërsa një tjetër nuk është më». 14 Jozefi iu përgjigj: «Është siç ju thashë: ju jeni spiunë! 15 Unë do t’ju vë në provë kështu: pasha jetën e faraonit, ju nuk do të dilni që këtej pa ardhur këtu vëllai juaj i vogël. 16 Dërgoni njërin prej jush të marrë vëllanë tuaj. Të tjerët do të futen në burg, derisa të vërtetohen fjalët tuaja. Nëse jo, pasha faraonin, ju jeni spiunë!». 17 Kështu, i futi në burg për tri ditë.

18 Ditën e tretë, Jozefi u tha: «Bëni siç ju thashë e do të jetoni, sepse unë i druhem Perëndisë. 19 Nëse jeni të ndershëm, njëri prej jush të rrijë në burg, ndërsa ju shkoni e çoni grurë te shtëpitë tuaja të uritura. 20 Pastaj më sillni vëllanë tuaj të vogël, që të vërtetohet çfarë thatë e kështu të mos vdisni». Ata bënë siç u tha 21 e i thanë njëri-tjetrit: «Jemi me të vërtetë fajtorë për vëllanë tonë, Jozefin, sepse e pamë sa në ankth ishte kur na lypte mëshirë dhe nuk e dëgjuam, prandaj na ra kjo fatkeqësi». 22 Atëherë Rubeni u tha: «A nuk ju thashë të mos mëkatonit kundër djalit? Por ju nuk dëgjuat. Tani po na kërkohet shpagim për gjakun e tij!». 23 Ata nuk e dinin se Jozefi i kuptonte, sepse u fliste me përkthyes. 24 Jozefi u largua prej tyre e qau. Pastaj u kthye tek ata e u foli. Mori Simeonin e i vuri prangat para tyre. 25 Dha urdhër që t’ua mbushnin thasët me grurë, t’ua vinin paratë në thesin e secilit e t’u jepnin ushqime për rrugë. Dhe kështu u bë.

Vëllezërit kthehen në Kanaan

26 Ata i ngarkuan thasët mbi gomarë e u larguan që andej. 27 Kur ishin në një bujtinë, njëri prej tyre hapi thesin për t’i dhënë tagji gomarit, dhe pa paratë në grykë të thesit. 28 Atëherë u tha vëllezërve: «Më kanë kthyer paratë! Ja ku janë, në thes!». Atyre sa nuk u pushoi zemra e të frikësuar thanë: «Ç’është kjo që na bëri Perëndia?».

29 Kur mbërritën në tokën e Kanaanit, te Jakobi, ati i tyre, i treguan gjithçka që u kishte ndodhur: 30 «Zoti i atij vendi na foli ashpër e na trajtoi si spiunë. 31 Ne i thamë: “Jemi njerëz të ndershëm e jo spiunë. 32 Jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të një ati. Njëri nga vëllezërit nuk është më, kurse më i vogli është me atin tonë në tokën e Kanaanit”. 33 Por ai, zoti i atij vendi, na tha: “Ja si do ta di nëse jeni të ndershëm. Lëreni një nga vëllezërit tek unë. Merrni grurë për shtëpitë tuaja të uritura dhe shkoni 34 e më sillni vëllanë tuaj të vogël. Atëherë do ta di që nuk jeni spiunë, por njerëz të ndershëm. Pastaj do t’jua jap vëllanë tuaj e ju do të mund të bëni tregti në këtë vend”».

35 Zbrazën thasët dhe secili gjeti në thes qeskën e vet të parave. Kur i panë, u trembën ata dhe ati i tyre. 36 Atëherë ati i tyre, Jakobi, tha: «Më latë pa djem! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më e tani dashkeni të më merrni edhe Benjaminin! Jam unë ai që i vuaj të gjitha». 37 Rubeni i tha të atit: «Nëse nuk ta kthej djalin vriti të dy bijtë e mi. Ma beso mua e unë do të ta kthej». 38 Ai iu përgjigj: «Im bir nuk do të vijë me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe ky është i vetmi që ka mbetur. Po i ndodhi gjë rrugës, hidhërueshëm, do të m’i shtini thinjat në varr!».