Zanafilla 41

Ëndrra e faraonit

Pas plot dy vjetësh, faraoni pa një ëndërr: po qëndronte pranë lumit Nil, kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të hijshme e të majme e po kullotnin ndër xunkthe. Pas tyre dolën nga lumi edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të ligshta e të dobëta. Qëndruan pranë lopëve në breg të lumit Nil, e i hëngrën lopët e hijshme e të majme. Atëherë faraoni u zgjua. Pastaj e zuri gjumi e pa përsëri një ëndërr: shtatë kallinj të plotë e të mirë po dilnin nga një kërcell. Pas tyre dolën shtatë kallinj të hollë e të tharë nga era e lindjes, që i përpinë shtatë kallinjtë e plotë. Atëherë faraoni u zgjua. Kishte qenë në ëndërr! Në mëngjes, shpirtin e kishte të trazuar. Dërgoi njerëz e thirri të gjithë magjistarët e dijetarët e Egjiptit. Ua tregoi ëndrrat, por askush nuk mund t’ia shpjegonte.

Atëherë i pari i kupëmbajtësve i tha faraonit: «Sot po më kujtohet faji im. 10 Kur faraoni u zemërua me shërbëtorët e tij, na futi në burg, mua dhe të parin e bukëpjekësve, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. 11 Një natë, që të dy pamë nga një ëndërr e secila ëndërr kishte kuptimin e vet. 12 Atje, bashkë me ne, ishte një djalosh hebre, skllav i komandantit të truprojës. Ia treguam atij dhe ai na e shpjegoi secilit ëndrrën. 13 Siç na i shpjegoi ai, ashtu edhe ndodhi. Unë u riktheva në detyrë, ndërsa tjetri u var».

14 Atëherë faraoni dërgoi njerëz e thirri Jozefin. Ata e nxorën me të shpejtë nga burgu. Jozefi u rrua, ndërroi rrobat e doli para faraonit. 15 Faraoni i tha Jozefit: «Kam parë një ëndërr e s’ka kush të ma shpjegojë. Kam dëgjuar se ti mund të shpjegosh çdo ëndërr që dëgjon». 16 Jozefi iu përgjigj: «Jo unë, por Perëndia do t’i japë faraonit një përgjigje të mirë». 17 Faraoni i tha: «Në ëndërr po qëndroja në breg të lumit Nil, 18 kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të majme e të hijshme e po kullotnin ndër xunkthe. 19 Pas tyre dolën edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të këputura, shumë të ligshta e të dobëta. Lopë kaq të këqija nuk kisha parë kurrë në tërë tokën e Egjiptit. 20 Ato i hëngrën shtatë lopët e para që ishin të majme, 21 i përlanë, por nuk merrej vesh që i kishin ngrënë, sepse ishin po aq të ligshta sa në fillim. Atëherë u zgjova. 22 Pastaj pashë në ëndërr shtatë kallinj të plotë e të mirë që po dilnin nga një kërcell. 23 Pas tyre dolën shtatë kallinj të fishkur, të hollë e të tharë nga era e lindjes 24 e i përpinë shtatë kallinjtë e mirë. Ua tregova magjistarëve, por askush nuk mundi të m’i shpjegojë».

25 Atëherë Jozefi i tha faraonit: «Ëndrrat e faraonit janë të njëjta. Faraonit i është treguar se çfarë do të bëjë Perëndia. 26 Shtatë lopët e mira e shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet. Ëndrrat janë të njëjta. 27 Shtatë lopët e dobëta e të ligshta që dolën pas tyre dhe shtatë kallinjtë bosh e të tharë nga era e lindjes janë shtatë vjet zi buke. 28 Këtë gjë i them faraonit: atij i është zbuluar se çfarë do të bëjë Perëndia. 29 Ja, tërë Egjipti do të ketë shtatë vite të begatshme. 30 Pas tyre do të vijnë shtatë vite zi buke dhe gjithë begatia do të harrohet në tokën e Egjiptit. Zia e bukës do ta shkatërrojë vendin. 31 Begatia e tokës nuk do të mbahet më mend, se zia që do të vijë më pas do të jetë shumë e madhe. 32 Sa për ëndrrën që t’u përsërit dy herë, do të thotë se vendimi është marrë nga Perëndia dhe se ai ka për të vepruar shumë shpejt. 33 Prandaj, faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar e të ditur që ta vendosë në krye të Egjiptit. 34 Faraoni të caktojë mbikëqyrës në tokën e Egjiptit që, gjatë shtatë viteve të begatshme, të marrë të pestën e prodhimeve. 35 Mbikëqyrësit të mbledhin të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vijnë. Të grumbullojnë grurë në emër të faraonit e ta ruajnë si ushqim për qytetet. 36 Kjo, do të jetë tëmotje për vendin gjatë shtatë viteve të zisë që do të mbulojë tokën e Egjiptit. Kështu, vendi nuk do të marrë fund nga zia e bukës».

Jozefi mbikëqyrës i Egjiptit

37 Kjo gjë i pëlqeu faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij. 38 Atëherë faraoni u tha shërbëtorëve: «A mund të gjejmë një njeri të tillë, në të cilin është shpirti i Perëndisë?!». 39 Faraoni i tha Jozefit: «Meqë Perëndia t’i ka bërë të ditura të gjitha këto, nuk ka njeri më të zgjuar e të ditur se ty. 40 Ti do të jesh përgjegjës për shtëpinë time e gjithë populli im do t’i bindet fjalës sate. Unë do të jem më i madh se ti vetëm sa i përket fronit». 41 Faraoni i tha Jozefit: «Ja, të kam vënë në krye të gjithë tokës së Egjiptit». 42 Pastaj hoqi unazën e ia vuri në gisht Jozefit. E veshi me rroba liri e i vuri në qafë një varëse të artë. 43 E vuri në karrocë si të dytë dhe para tij thërrisnin: «Gjunjëzohuni!». Kështu, faraoni e vuri në krye të tokës së Egjiptit. 44 Pastaj i tha: «Unë jam faraoni. Pa lejen tënde askush në tokën e Egjiptit nuk do të luajë as dorë e as këmbë». 45 Faraoni e quajti Jozefin, Cafenat Paneah e i dha për grua Asenatën, bijën e Potiferait, priftit të Onit. Pastaj Jozefi doli nëpër Egjipt.

46 Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur doli para faraonit, mbretit të Egjiptit. Jozefi u largua nga faraoni dhe përshkoi tërë tokën e Egjiptit. 47 Gjatë shtatë viteve të begatshme, toka prodhoi plot. 48 Jozefi i mblodhi gjithë ushqimet gjatë shtatë viteve të begata që gëzoi Egjipti e i grumbulloi nëpër qytete. Në çdo qytet mblodhi ushqimet e fushave përreth. 49 Ai mblodhi shumë grurë, aq shumë sa rëra e detit, saqë ndaloi së mbajturi llogari, se ishte e pamundur.

50 Para se të fillonin vitet e zisë, Jozefit i lindën dy djem prej Asenatës, bijës së Potiferait, priftit të Onit. 51 Të parëlindurin e quajti Manase, sepse tha: «Perëndia më bëri t’i harroj të gjitha mundimet dhe shtëpinë e atit tim». 52 Të dytin e quajti Efraim, sepse tha: «Perëndia më bëri të frytshëm në tokën e mjerimit».

53 Si shkuan shtatë vitet e begatshme në tokën e Egjiptit, 54 filluan shtatë vitet e zisë, ashtu siç kishte thënë Jozefi. Në të gjitha vendet pllakosi zia e bukës, por në tërë tokën e Egjiptit kishte bukë. 55 Kur tërë vendin e Egjiptit e zuri uria, populli i kërkoi bukë faraonit. Atëherë ai u tha: «Shkoni te Jozefi e bëni çfarë t’ju thotë». 56 Kur zia e bukës mbuloi gjithë faqen e dheut, Jozefi hapi të gjithë drithnikët e u shiti grurë egjiptianëve, se zia e bukës ishte e rëndë në tokën e Egjiptit. 57 Njerëz nga të gjitha anët vinin në Egjipt për të blerë grurë nga Jozefi, se zia e bukës ishte e rëndë në të gjithë tokën.