Zanafilla 39

Jozefi dhe gruaja e Potifarit

Jozefin e sollën në Egjipt. Potifari, një egjiptian, oborrtar i faraonit e komandant i rojave, e bleu Jozefin nga dora e ishmaelitëve që e kishin sjellë aty. Zoti ishte me Jozefin dhe atij i shkonte mbarë. Ai banoi në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptian. Potifari e pa se Zoti ishte me të e ia sillte mbarë në çdo gjë që bënte. Jozefi gjeti hir para Potifarit e u bë shërbëtori i tij. Ky e caktoi kujdestar të shtëpisë e gjithçka që kishte e la në dorë të Jozefit. Qëkurse Potifari e vuri kujdestar të shtëpisë e të gjithçkaje të tijën, Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptianit për shkak të Jozefit. Zoti i bekoi çdo gjë që kishte në shtëpi e në fushë. Potifari ia la në dorë Jozefit gjithçka që kishte e nuk shqetësohej më për asgjë, përveç bukës që hante.

Jozefi ishte i bukur e i pashëm. Pas këtyre ngjarjeve, gruaja e zotërisë së tij, ia vuri syrin Jozefit e i tha: «Fli me mua!». Jozefi nuk pranoi e i tha: «Falë meje, imzot nuk shqetësohet më për shtëpinë e gjithçka që ka ma ka lënë në dorë. Askush në këtë shtëpi nuk është më i madh se unë. Ai nuk më ka mohuar asgjë përveç teje, sepse ti je gruaja e tij. Si të bëj një gjë kaq të keqe e të mëkatoj kundër Perëndisë?». 10 Ndonëse ajo i fliste përditë, Jozefi nuk pranoi të shtrihej e të flinte me të. 11 Por një ditë ai hyri në shtëpi për të bërë punët e veta dhe në shtëpi nuk kishte njeri. 12 Atëherë ajo e kapi prej rrobave e i tha: «Fli me mua!». Ai ia la rrobat në dorë e iku e doli përjashta. 13 Kur pa se Jozefi ia la rrobat në dorë e iku përjashta, 14 thirri njerëzit e shtëpisë e u tha: «Shikoni, im shoq na solli një hebre që tallet me ne. Ai erdhi tek unë që të flinte me mua, por unë bërtita me të madhe. 15 Kur pa se e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku e doli përjashta». 16 Ajo i mbajti rrobat e tij pranë, derisa i zoti erdhi në shtëpi. 17 Pastaj i tha të njëjtën gjë: «Skllavi hebre që na solle, erdhi tek unë që të më ngacmojë. 18 Por kur e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku përjashta».

19 Kur i zoti dëgjoi fjalët e të shoqes që thoshte: «Kështu ma bëri shërbëtori yt», u zemërua. 20 E mori Jozefin dhe e futi në burg, aty ku mbaheshin të burgosurit e mbretit. Jozefi mbeti në burg, 21 por Zoti ishte me të. Zoti pati mëshirë për të, prandaj komandanti i burgut e mori me sy të mirë. 22 Ky ia besoi Jozefit të gjithë të burgosurit që ishin në burg e ai u bë përgjegjës për çdo gjë që bëhej në atë vend. 23 Komandanti nuk kujdesej më për asgjë nga ato që kishte lënë në dorë të Jozefit, sepse Zoti ishte me të dhe çdo gjë që Jozefi bënte, Zoti ia sillte mbarë.