Zanafilla 33

Jakobi takohet me Esaun

Jakobi ngriti sytë e pa Esaun që po vinte. Me të ishin katërqind burra. Atëherë i ndau fëmijët mes Leas, Rakelës e dy shërbëtoreve. Shërbëtoret me bijtë e tyre i vuri në fillim, pas tyre vuri Lean me bijtë e saj, në fund vuri Rakelën e Jozefin. Ai vetë shkoi para tyre e u përkul gjer në tokë shtatë herë, derisa iu afrua të vëllait.

Por Esau vrapoi për ta takuar dhe e përqafoi. Iu hodh në qafë, e puthi e qanë që të dy. Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët e tha: «Çfarë i ke këta?». Ai iu përgjigj: «Këta janë fëmijët që Perëndia i fali shërbëtorit tënd». Atëherë shërbëtoret bashkë me fëmijët u afruan e u përkulën me nderim. U afrua edhe Lea me fëmijët e saj e u përkulën me nderim. Në fund u afrua Jozefi e Rakela e u përkulën me nderim. Pastaj Esau tha: «Ç’ke ndër mend të bësh me gjithë këto që më solle?». Jakobi iu përgjigj: «I solla që të gjej hir para teje, imzot». Esau tha: «Unë kam mjaft, o vëllai im. Çfarë ke mbaje për vete». 10 Por Jakobi tha: «Jo, të lutem. Nëse kam gjetur hir para teje do ta pranosh këtë dhuratë nga dora ime, sepse të pashë ballë për ballë, si të shihja ballë për ballë Perëndinë, e ti prapë më prite mirë. 11 Pranoje, pra dhuratënq që të solla, se Perëndia është treguar i mëshirshëm me mua e unë kam plot». Kështu, ai nguli këmbë dhe Esau pranoi.

12 Pastaj Esau tha: «Të çohemi e të shkojmë e unë do të të prij». 13 Por Jakobi i tha: «Imzot, ti e di se fëmijët janë të vegjël dhe se dhentë e lopët qumështore i kam kujdes. Nëse i mundoj edhe një ditë, e gjithë bagëtia do të ngordhë. 14 Le të shkojë imzot para shërbëtorit të tij, ndërsa unë do të vij ngadalë me hapin e bagëtisë, që më paraprin, e me hapin e fëmijëve, derisa të arrij tek imzot në Seir».

15 Atëherë Esau tha: «Po lë me ty disa nga njerëzit e mi». Por Jakobi tha: «Përse? Mjaftonr që të gjej hir para timzot». 16 Po atë ditë, Esau u kthye rrugës për në Seir, 17 ndërsa Jakobi udhëtoi drejt Sukotit ku ndërtoi shtëpi për vete e kasolle për kafshët, prandaj edhe vendi u quajt Sukot.

Jakobi në Shekem

18 Jakobi erdhi nga Padan Arami dhe arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Shekemit, që ishte në tokën e Kanaanit, dhe fushoi përballë qytetit. 19 Pastaj bleu prej Hamorit, atit të Shekemit, për njëqind monedha argjendi, pjesën e fushës në të cilën kishte ngritur tendën. 20 Aty ngriti një altar dhe e quajti «Perëndia është Perëndia i Izraelit».


 q33.11 he. bekimin tim

 r33.15 ose: Përse imzot të tregohet kaq mirëdashës?