Zanafilla 25

Pasardhësit e Abrahamit

Abrahami mori një grua tjetër që quhej Ketura. Ajo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Midianin, Ishbakun e Shuahun. Jokshanit i lindi Shebai e Dedani. Bijtë e Dedanit ishin ashuritët, letushitët e leumitët. Bijtë e Midianit ishin Efahu, Eferi, Enoku, Abidai e Eldahu. Të gjithë këta ishin bijtë e Keturasë. Abrahami ia la Isakut gjithë pasurinë e vet. Por bijve të shemrave të veta u dha dhurata e, ndërsa ishte gjallë, i dërgoi drejt lindjes, në vendin lindor, larg nga i biri, Isaku.

Abrahami jetoi njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet. Ai dha shpirt e vdiq në pleqëri të lume, i thyer në moshë e me jetë të gjatë dhe u varros bashkë me popullin e tij. Isaku e Ishmaeli, bijtë e tij, e varrosën në shpellën e Makpelës, që është në lindje të Mamreut, në arën e Efronit, birit të Cohar Hititit, 10 që Abrahami e pati blerë prej bijve të Hetit. Atje u varros ai e Sara, gruaja e tij. 11 Pas vdekjes së Abrahamit, Perëndia e bekoi Isakun, birin e tij, dhe ai banoi pranë Ber Lahaj Roiut.

Pasardhësit e Ishmaelit

12 Këta janë pasardhësit e Ishmaelit, birit të Abrahamit, që ia lindi Hagara, egjiptiania, skllavja e Sarës. 13 Këta janë emrat e bijve të Ishmaelit sipas radhës: Nebajoti, i parëlinduri i Ishmaelit, Kedari, Adbeli, Mibsami, 14 Mishmai, Dumahu, Masai, 15 Hadadi, Temai, Jeturi, Nafishi e Kedmahu. 16 Këta janë bijtë e Ishmaelit dhe emrat e tyre sipas fshatrave e fushimeve të tyre; dymbëdhjetë prijës sipas fiseve të tyre. 17 Ishmaeli jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. Ai dha shpirt, vdiq e u varros bashkë me popullin e vet. 18 Bijtë e Ishmaelit banuan nga Havilahu deri në Shur, që është përballë Egjiptit, në drejtim të Asirisë. Ata jetuan në kundërshtih me vëllezërit e tij.

Lindja e Esaut dhe e Jakobit

19 Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit: Abrahamit i lindi Isaku. 20 Ai ishte dyzet vjeç kur mori për grua nga Padan Arami Rebekën, bijën e Betuel Arameasit dhe motrën e Laban Arameasit. 21 Isaku iu lut Zotit për gruan e tij, sepse ajo ishte beronjë. Zoti e dëgjoi dhe Rebeka mbeti shtatzënë. 22 Djemtë përlesheshin me njëri-tjetrin brenda barkut të saj, prandaj ajo tha: «Pse po më ndodh kështu?» e shkoi të pyesë Zotin23 Atëherë Zoti i tha:

«Dy kombe janë në barkun tënd

e dy popuj do të dalini prej teje.

Njëri do të jetë më i fortë se tjetri

e i madhi do t’i shërbejë të voglit».

24 Kur i erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë. 25 I pari doli i kuq, mbuluar i tëri si me një gunë leshi. Atë e quajtën Esau. 26 Pastaj doli i vëllai që e kishte mbërthyer Esaun nga thembra. Ai u quajt Jakob. Isaku ishte gjashtëdhjetë vjeç kur i lindën djemtë.

27 Kur ata u rritën, Esau u bë gjahtar i aftë, njeri i fushës, ndërsa Jakobi ishte i përkryer e rrinte nëpër tenda. 28 Isaku donte Esaun, sepse i pëlqente gjahu, ndërsa Rebeka donte Jakobin.

Esau shet të drejtën e parëlindjes

29 Një herë kur Jakobi po gatuante gjellëj, Esau erdhi prej fushës i lodhur 30 e i tha Jakobit: «Më lër ta përlaj këtë gjënë e kuqe, se jam i sfilitur». Prandaj dhe u quajt Edom. 31 Jakobi tha: «Më shit më parë të drejtën e parëlindjes». 32 Esau u përgjigj: «Unë po vdes, ç’më duhet kjo e drejtë?». 33 Jakobi i tha: «M’u beto tani». Ai iu betua e ia shiti Jakobit të drejtën e parëlindjes. 34 Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë e gjellë me thjerrëza. Ai hëngri e piu e pastaj u ngrit e iku. Kështu, Esau e përbuzi të drejtën e parëlindjes.


 h25.18 ose: ata banuan kundruall; he. ai ra para

 i25.23 ose: ndahen

 j25.29 ose: supë