Zanafilla 22

Sprova e Abrahamit

Pas këtyre ngjarjeve Perëndia e vuri në provë Abrahamin e i tha: «Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam». Ai i tha: «Merre me vete tët bir, Isakun, birin tënd të vetëm, që ti e do, e shko në tokën e Moriahut. Atje kushtoje si fli shkrumbimi në një nga malet që do të të tregoj». Abrahami u ngrit herët në mëngjes, shaloi gomarin e mori me vete dy shërbëtorë dhe Isakun, birin e tij. Pasi preu dru për flinë e shkrumbimit, u ngrit e shkoi drejt vendit që i tregoi Perëndia. Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë e pa vendin nga larg. Atëherë Abrahami u tha shërbëtorëve: «Prisni këtu bashkë me gomarin, ndërsa unë e djali do të ngjitemi atje, do të adhurojmë e pastaj do të kthehemi te ju». Abrahami mori drutë për flinë e shkrumbimit e ia ngarkoi Isakut, të birit, ndërsa vetë mbante në dorë zjarrin e thikën. Kështu u nisën të dy bashkë. Isaku i tha Abrahamit, të atit: «O atë!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, biri im». Isaku tha: «Zjarrin e drutë ja ku i kemi. Po qengji për flinë ku është?». Abrahami iu përgjigj: «Vetë Perëndia do të këqyrë për qengjin e flisë së shkrumbimit, biri im». E kështu shkuan të dy bashkë.

Kur arritën te vendi që Perëndia i kishte treguar, Abrahami ngriti një altar dhe i vendosi drutë mbi të. E lidhi Isakun, të birin, dhe e vuri mbi altar, mbi turrën e druve. 10 Pastaj zgjati dorën e mori thikën që të therte të birin. 11 Por engjëlli i Zotit i thirri nga qielli e i tha: «Abraham, Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!». 12 Ai i tha: «Mos ngri dorë kundër djalit e mos i bëj gjë, se tani e di që i druhesh Perëndisë e nuk e kurseve për mua as birin tënd të vetëm». 13 Abrahami ngriti sytë e pa një dash me brirët të ngatërruar në një shkurre. Shkoi, e mori dhe e flijoi në vend të të birit. 14 Abrahami e quajti atë vend «Zoti këqyr», sikurse thuhet edhe sot: «Në malin e Zotit ai këqyretb!».

15 Engjëlli i Zotit e thirri nga qielli për së dyti, 16 e i tha: «Veten time zë në be, kumton Zoti, për shkak se bëre këtë gjë e nuk e kurseve birin tënd të vetëm, 17 unë do të të jap bekim pas bekimi e do t’i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit e si rëra e bregdetit. Pasardhësit e tu do të marrin në zotërim portat e armiqve të tyre. 18 Tërë kombet e tokës do të bekohen në pasardhësit e tu për shkak se ti iu binde zërit tim». 19 Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët. Ata u ngritën e shkuan së bashku në Bershebë dhe Abrahami banoi atje.

Bijtë e Nahorit

20 Pas këtyre ngjarjeve Abrahamit i thanë: «Ja, edhe Milka i ka lindur djem Nahorit, vëllait tënd. Ata janë: 21 Uci i parëlinduri, Buzi, vëllai i tij, Kemueli, i ati i Aramit, 22 Kesedi, Hazoi, Pildashi, Idlafi e Betueli. 23 Betuelit i lindi Rebeka. Këta të tetë, Milka ia lindi Nahorit, vëllait të Abrahamit. 24 Edhe shemra e tij, Reumaja, i lindi Tebahun, Gahamin, Tahashin e Makahun».


 b22.14 të tjerë: këqyr