Zakaria 4

Vegimi i shandanit

Atëherë engjëlli që po fliste me mua u kthye e më zgjoi siç zgjohet dikush nga gjumi. Dhe më tha: «Çfarë sheh?». Unë i thashë: «Ja, po shoh një shandan krejt të artë. Në majë ka një kupë me shtatë llamba e të shtatë llambat kanë në majë nga shtatë buzë. Pranë gjenden dy pemë ulliri, njëra në të djathë të kupës, tjetra në të majtë». Pastaj i thashë engjëllit që po më fliste: «Çfarë janë këto, imzot?». Ai m’u përgjigj: «A nuk e ditke se ç’janë këto?». Unë thashë: «Jo, imzot!». Ai m’u përgjigj: «Ja fjala e Zotit për Zorobabelin: “Jo me fuqi e as me forcë, por me shpirtin tim, thotë Zoti i ushtrive. Kush je ti, o mal i madh? Rrafsh do të bëhesh para Zorobabelit! Ai do ta nxjerrë gurin e qoshes me brohoritjen: ‘Sa i hijshëm! Sa i hijshëm!’”».

Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua: «Duart e Zorobabelit do të hedhin themelet e kësaj shtëpie dhe po duart e tij do ta përfundojnë. Kështu do ta dini se Zoti i ushtrive më dërgoi te ju. 10 Kushdo që e përbuzi ditën e punëve të vogla do të gëzohet kur të shohë plumbçin në dorën e Zorobabelit. Këto shtatë llamba janë shtatë sytë e Zotit që e përshkojnë mbarë tokën».

11 Unë iu përgjigja: «Po këto dy pemët e ullirit në të djathë e në të majtë të shandanit çfarë janë?». 12 Dhe e pyeta për së dyti: «Çfarë janë këto dy degë ulliri që përmes dy gypave të artë derdhin lëngun e tyre të artë?». 13 Ai më tha: «A nuk e ditke se ç’janë këto?». Unë thashë: «Jo, imzot!». 14 Ai tha: «Këta janë dy të vajosurit që qëndrojnë para Zotit të mbarë tokës».