Zakaria 14

Jerusalemi

«Ja, po vjen një ditë për Zotin, kur plaçka e marrë prej teje do të ndahet në mesin tënd. Do t’i mbledh tërë kombet që ta sulmojnë Jerusalemin. Qyteti do të bjerë, shtëpitë do të plaçkiten, gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por pjesa tjetër nuk do zhbihet prej qytetit. Atëherë Zoti do të dalë të luftojë kundër këtyre kombeve, si në ditën e betejës. Këmbët e tij, atë ditë, do të qëndrojnë mbi malin e Ullinjve, kundruall Jerusalemit, në lindje. Dhe mali i Ullinjve do të çahet më dysh e një luginë e madhe do të shtrihet nga lindja deri në perëndim, aq sa gjysma e malit do të zhvendoset drejt veriut e gjysma tjetër drejt jugut. Do të merrni arratinë përmes luginës së maleve, se ajo do të shtrihet deri në Acal. Do të merrni arratinë siç bëtë nga tërmeti në ditën e Uziahut, mbretit të Judës, dhe Zoti, Perëndia im, do të vijë te ti bashkë me tërë të shenjtët e tij.

Atë ditë nuk do të ketë dritë, veç të ftohtë e akull. Por do të vijë një ditë e veçantë, vetëm Zoti e di kur, ku s’do të ketë as ditë, as natë, se do të ketë dritë edhe në mbrëmje.

Atë ditë do të burojnë prej Jerusalemit ujëra të gjalla. Gjysma e tyre do të derdhen në detin e lindjes, gjysma tjetër në detin e perëndimit. Do të burojnë verës e dimrit.

Zoti do të jetë mbret i tokës. Atë ditë Zoti do të jetë i vetmi; emri i tij do të jetë i vetmi emër.

10 Tërë toka do të shkretohet prej Gebës deri në Rimon, në jug të Jerusalemit, i cili do të ndërtohet e banohet në vendin e vet, që prej portës së Benjaminit deri te porta e parë, deri te porta e këndeve, që prej kullës së Hananelit deri te torku i mbretit. 11 Jerusalemi do të banohet, kurrë nuk do të shfaroset. I sigurt do të banojë.

12 Kjo është plaga me të cilën Zoti do t’i godasë popujt që luftuan kundër Jerusalemit: do t’u kalbet mishi, ndërsa rrinë në këmbë, sytë brenda në zgavra e gjuha në gojë. 13 Atë ditë do t’i pllakosë një pështjellim i madh prej Zotit, saqë do të kapen me njëri-tjetrin dhe secili do të ngrejë dorë kundër të afërtit. 14 Deri edhe Juda do të luftojë kundër Jerusalemit. Do të grumbullohen pasuritë e gjithë popujve përreth, ar, argjend e petka me shumicë. 15 Me një plagë të tillë do të goditen kuajt, mushkat, devetë, gomarët dhe tërë gjëja e gjallë që gjendet në këto fushime.

16 Ata që do të shpëtojnë prej kombeve që dolën kundër Jerusalemit, do të shkojnë vit për vit për të adhuruar mbretin, Zotin e ushtrive, e për të kremtuar festën e Kasolleve. 17 Nuk do të bjerë shi për fiset e tokës që nuk shkojnë në Jerusalem për të adhuruar mbretin, Zotin e ushtrive. 18 E nëse fiset e Egjiptit nuk shkojnë, do t’i zërë e njëjta plagë, me të cilën Zoti dënoi ata që nuk shkuan për të kremtuar festën e Kasolleve. 19 Ky do të jetë ndëshkimi për Egjiptin e për tërë kombet që nuk do të shkojnë për të kremtuar festën e Kasolleve.

20 Atë ditë, mbi zilkat e kuajve do të jetë shkruar: “I shenjti i Zotit” dhe enët e gatimit në shtëpinë e Zotit do të jenë po aq të shenjta sa enët para altarit. 21 Çdo enë gatimi në Jerusalem e në Judë do t’i shenjtërohet Zotit të ushtrive, që kushdo që kushton fli, të mund t’i marrë për të zier flinë. Atë ditë nuk do të ketë më tregtarë në shtëpinë e Zotit të ushtrive».