Zakaria 10

Përtëritja e Judës dhe Izraelit

«Zotit kërkojani shiun në kohën e shirave të vona,

se Zoti është ai që bën të gjëmojë.

Shiun e begatë ai do t’jua japë

dhe arat e secilit do të blerojnë.

Por idhujt flasin ligësi,

shortarët mashtrojnë me vegime,

ëndërrimtarët flasin kotësi,

të rreme ngushëllimet e tyre.

Ndaj dhe populli endet si bagëtia,

vuajnë se s’kanë bari.

Kundër barinjve ndizet zemërimi im,

prijësit e kopesë gjykimi im do t’i zërë,

se Zoti i ushtrive kujdeset për kopenë e tij, shtëpinë e Judës,

e si kalin e vet të lavdishëm lufte do ta bëjë.

Prej Judës do të dalë guri i këndit,

prej tij, kunji e tendës,

prej tij, harku i luftës,

prej tij, të gjithë prijësit.

Së bashku ata do të jenë si trima

që baltën me këmbë në luftë shkelin.

Do të luftojnë, se Zoti do të jetë me ta,

kalorësit ata do t’i turpërojnë.

Ngadhënjim do t’i jap shtëpisë së Judës,

shtëpinë e Jozefit do ta shpëtoj.

Do t’i përtërij, se do të kem mëshirë për ta,

do të jenë si të mos i kisha mohuar kurrë,

se unë jam Zoti, Perëndia i tyre,

e atyre do t’u përgjigjem.

Efraimët do të jenë si luftëtarë,

zemra do t’u gëzohet si prej verës.

Fëmijët do t’i shohin e do të ngazëllehen,

në Zotin do të galdojë zemra e tyre.

Do të fërshëllej e do t’i mbledh, se i shpagova,

do të bëhen të shumtë si më parë.

I shpërndava nëpër popuj,

por prej vendeve të largëta do të më kujtojnë.

Bashkë me fëmijët do të rrojnë e do të kthehen.

10 Do t’i kthej prej tokës së Egjiptit,

nga Asiria do t’i mbledh

e do t’i sjell në tokën e Gileadit e të Libanit,

sa s’do të kenë më vend.

11 Do të kalojë Zoti përmes detit të trazuar,

dallgët do t’i godasë e thellësinë e ujërave ai do ta thajë.

Do të përulet krenaria e Asirisë,

skeptri i Egjiptit do të hidhet tej.

12 Do t’i bëjë të fortë në Zotin,

në emrin e tij ata do të ecin para,

kumton Zoti».