Veprat 3

Shërimi i një të sëmuri

Pjetri e Gjoni po shkonin në tempull në kohën e lutjes, në orën tre pasdite. Çdo ditë njerëzit sillnin aty një burrë të çalë që nga lindja dhe e vendosnin te dera e tempullit që quhet «e Bukura», për të lypur lëmoshë nga njerëzit që hynin në tempull.

Kur pa Pjetrin e Gjonin tek po hynin në tempull, ai u lypi lëmoshë. Pjetri, së bashku me Gjonin, ia ngulën sytë e i thanë: «Na shiko!». Ai i pa me vëmendje duke pritur të merrte ndonjë gjë prej tyre, por Pjetri i tha: «Unë nuk kam as argjend e as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit të Nazaretit, ngrihu dhe ec!». Pastaj i kapi dorën e djathtë, e ngriti dhe menjëherë të çalit iu forcuan këmbët e kyçet. Ai brofi më këmbë dhe shkoi e hyri në tempull së bashku me ta, duke ecur, duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë. I gjithë populli e pa duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë. 10 Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te «Dera e Bukur» e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit.

Fjala e Pjetrit në tempull

11 Meqë ai ishte kapur pas Pjetrit e Gjonit, i gjithë populli, i mrekulluar, u mblodh pranë tyre nën atë që quhet «Portiku i Solomonit». 12 Kur i pa, Pjetri iu drejtua popullit kështu: «Burra izraelitë, pse çuditeni për këtë gjë? Pse na shihni sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë a me përkushtimin tonë ndaj Zotit? 13 Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. 14 Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi. 15 Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë. 16 Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve.

17 E tani, vëllezër, e di se keni vepruar nga padija, sikurse bënë edhe krerët tuaj. 18 Perëndia përmbushi kështu atë që kishte paralajmëruar ai vetë përmes gjithë profetëve, se Krishti do të vuante. 19 Prandaj pendohuni e kthehuni që t’ju shlyhen mëkatet, 20 që të vijë koha kur Zoti do t’ju përtërijë me praninë e tij, duke ju dërguar Krishtin Jezu që e kishte caktuar për ju që më parë. 21 Ai duhet të rrijë në qiell deri në kohën e përtëritjes së të gjitha gjërave, siç e ka lajmëruar Perëndia përmes profetëve të tij të shenjtë, që prej shumë kohësh.

22 Moisiu ka thënëdhZoti, Perëndia juaj, do të nxjerrë prej jush, mes vëllezërve tuaj, një profet si unë. Dëgjojeni për gjithçka që do t’ju thotë! 23 Kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset prej popullit. 24 Dhe të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur, që nga Samueli e deri te të tjerët pas tij, i kanë paralajmëruar këto ditë. 25 Ju jeni bijtë e profetëve e të besëlidhjes që Perëndia u ka dhënë etërve tuaj kur i tha Abrahamit: nëpërmjet pasardhësit tënd do të bekohen të gjithë popujt e tokës.

26 Kur Perëndia e ngjalli Birin e vet, e dërgoi së pari te ju, që t’ju bekonte, duke larguar secilin prej jush nga ligësitë e veta».


 dh3.22 dorëshk. të tjera edhe: etërve