Veprat 28

Pali në Maltë

Pasi shpëtuam, morëm vesh se ishulli quhej Maltë. Vendasitgj treguan një dashamirësi të pazakontë ndaj nesh. Ata ndezën një zjarr e na mblodhën të gjithëve rreth tij, sepse kishte filluar të binte shi e bënte ftohtë.

Pali kishte mbledhur një krah dru dhe po i vinte në zjarr kur iu lidh rreth dorës një nepërkë që doli për shkak të të nxehtit. Kur e panë vendasit gjarprin që varej në dorën e tij, i thanë njëri-tjetrit: «Ky njeri duhet të jetë vrasës. Edhe pse i shpëtoi detit, drejtësia hyjnore nuk e lejoi të jetojë». Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk pësoi asgjë të keqe. Ata po prisnin që të ënjtej, apo të binte i vdekur menjëherë, por, pasi pritën shumë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje e filluan të thoshin se ai ishte perëndi.

Afër atij vendi gjendeshin tokat e të parit të ishullit me emrin Publi. Ai na priti e na strehoi miqësisht për tri ditë. I ati i Publit ishte i sëmurë në shtrat me ethe e lëbarke. Pali iu afrua atij, u lut, shtriu duart mbi të dhe e shëroi.

Pasi ndodhi kjo gjë, edhe të sëmurët e tjerë të ishullit erdhën te Pali dhe u shëruan. 10 Ata na nderuan shumë dhe, kur po niseshim, na dhanë me vete gjithçka që na nevojitej.

Pali në Romë

11 Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë që e kishte kaluar dimrin në ishull dhe që mbante emblemën e Dioskurëve. 12 U ndalëm në Sirakuzë e ndenjëm aty tri ditë. 13 Pastaj lundruam përgjatë bregut e mbërritëm në Regjio. Pas një dite filloi të frynte juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuol. 14 Aty gjetëm disa vëllezër, të cilët na u lutën të rrinim me ta shtatë ditë. Pastaj shkuam në Romë.

15 Vëllezërit që ishin atje, kur dëgjuan për ne, erdhën që nga Forumi i Apit e nga Tri Tavernat për të na takuar. Kur i pa, Pali falënderoi Perëndinë e mori zemër.

16 Pasi mbërritën në Romëh, Palin e lejuan të jetonte vetëm dhe i vunë një ushtar për ta ruajtur.

Pali predikon në Romë

17 Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e judenjve dhe kur u mblodhën, u tha: «Vëllezër, edhe pse nuk kam bërë asgjë kundër popullit tonë apo traditave të etërve tanë, më kapën në Jerusalem dhe më dorëzuan në duart e romakëve. 18 Pasi më morën në pyetje, romakët deshën të më lironin, sepse nuk gjetën asnjë faj që të më dënonin me vdekje. 19 Por judenjtë kundërshtuan dhe unë u detyrova të kërkoj të gjykohem prej Cezarit. Këtë nuk e bëra për të ngritur ndonjë padi kundër popullit tim. 20 Prandaj edhe kam kërkuar t’ju takoj e të flas me ju, sepse unë jam nën këto pranga për shkak të atij tek i cili shpreson edhe Izraeli».

21 Ata i thanë: «Nuk kemi marrë asnjë letër nga Judeja për ty dhe asnjë nga vëllezërit judenj që kanë ardhur këtu, nuk na ka treguar gjë e as ka folur keq për ty. 22 Megjithatë, ne duam të dëgjojmë nga ti çfarë mendon, sepse e dimë se kudo flitet kundër këtij sekti».

23 Ata caktuan një ditë për ta takuar dhe shumë veta shkuan atje ku banonte ai. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje ai u shtjellonte dhe u predikonte për mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej t’i bindte për Jezuin, duke filluar që nga ligji i Moisiut e deri te librat e profetëve.

24 Disa u bindën prej gjërave që tha, ndërsa të tjerët nuk besuan. 25 Kështu ata nuk ranë në një mendje me njëri-tjetrin dhe kur po largoheshin, Pali u tha: «Mirë u foli Shpirti i shenjtë etërve tuaj me anë të profetit Isai, 26 kur tha:

shko te ky popull e thuaji:

kanë veshë për të dëgjuar,

por nuk kuptojnë,

kanë sy për të parë,

por nuk shikojnë.

27 Zemra e këtij populli

është bërë e pandjeshme

e u janë rënduar veshët.

I kanë mbyllur sytë

që të mos shohin me sy,

të mos dëgjojnë me veshë,

të mos kuptojnë me zemër,

që të mos kthehen tek unë

për t’i shëruar.

28-29 Dijeni, pra, se Perëndia ua dërgoi këtë shpëtim kombeve. Ato do të dëgjojnëi».

30 Pali qëndroi plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira, ku edhe priste të gjithë ata që shkonin tek ai. 31 Ai u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte të vërtetën e Zotit Jezu Krisht gjithë guxim e pa ngurruar.


 gj28.2 ose: Barbarët

 h28.16 dorëshk. të tjera edhe: kryeqindësi ia dorëzoi robërit komandantit të fushimit

 i28.28 dorëshk. të tjera edhe: 29 Pasi tha këto fjalë, judenjtë u larguan duke diskutuar me njëri-tjetrin