Veprat 27

Udhëtimi për në Romë

Kur u vendos të lundronim për në Itali, Palin dhe disa të burgosur të tjerë i çuan te një njeri me emrin Jul, kryeqindës i kohortës perandorake. Ne hipëm në një anije nga Adramiti, që do të kalonte nga portet përgjatë brigjeve të Azisë, dhe u nisëm. Me ne ishte edhe Aristarku, një maqedonas nga Selaniku.

Të nesërmen mbërritëm në Sidon. Juli u soll me dashamirësi me Palin dhe e lejoi të shkonte te miqtë e vet, që ata të kujdeseshin për të. Prej aty u nisëm e lundruam përgjatë Qipros, se e kishim erën kundër. Pasi kaluam detin gjatë brigjeve të Kilikisë e të Pamfilisë, arritëm në Mirë të Likisë. Aty kryeqindësi gjeti një anije nga Aleksandria që lundronte për në Itali dhe na hipi në atë anije.

Për disa ditë lundruam ngadalë dhe me vështirësi arritëm përballë Knidës. Meqë kishim erën kundër, lundruam poshtë Kretës, përbri Salmonit. Lundruam me shumë vështirësi përgjatë bregut dhe arritëm në një vend që quhej «Portet e Mira», pranë qytetit të Laseas.

Kishte kaluar shumë kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse kishte kaluar edhe koha e agjërimit të vjeshtës. Atëherë Pali i këshilloi 10 e u tha: «Burra, unë mendoj se lundrimi do të jetë i rrezikshëm e do të humbasim jo vetëm ngarkesën dhe anijen, por edhe jetët tona». 11 Por kryeqindësi dëgjoi timonierin dhe të zotin e anijes dhe nuk u vuri vesh fjalëve të Palit.

12 Meqë ai port nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica ishte e mendimit të largoheshin prej aty dhe mundësisht të arrinin në Fenikë, ku do të kalonin dimrin. Ky ishte një port i Kretës që shihte nga jugperëndimi dhe veriperëndimi.

Stuhia në det

13 Kur filloi të frynte një erë e lehtë, ata menduan se do t’ia arrinin qëllimit. Kështu ngritën spirancat e lundruan afër brigjeve të Kretës. 14 Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon. 15 Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim ç’të bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej.

16 Kur po kalonim poshtë një ishulli të vogël që quhet Kauda, me shumë vështirësi arritëm të kapnim varkën e shpëtimit. 17 Pasi e ngritën lart varkën e shpëtimit, përdorën litarë për ta lidhur anijen e për ta bërë më të fortë. Nga frika se mos ngecnin në rërë pranë Sirtit, hodhën spirancën pluskuese dhe e lanë anijen ta lëvizte era.

18 Meqenëse stuhia po na përplaste furishëm sa andej-këtej, të nesërmen hodhën në det ngarkesën, 19 ndërsa ditën e tretë hodhën në det me duart e tyre gjithë pajisjet e anijes. 20 Për shumë ditë nuk pamë as diell, as yje. Stuhia sa vinte e bëhej më e fortë dhe kështu na humbi çdo shpresë shpëtimi.

21 Pasi nuk kishin ngrënë për shumë kohë, Pali u ngrit e tha: «Burra, duhej të më kishit dëgjuar dhe të mos ishim nisur nga Kreta. Kështu do ta kishim shmangur këtë rrezik e këtë dëm. 22 Tani ju këshilloj që të mos ju lëshojë zemra, sepse asnjëri prej jush nuk do ta humbë jetën, por anija do të shkatërrohet.

23 Mbrëmë m’u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit i përkas dhe të cilin adhuroj 24 e më tha: “Mos ki frikë, o Pal! Ti duhet dalësh para Cezarit dhe prandaj Perëndia ua ka falur jetën të gjithëve atyre që po lundrojnë me ty”. 25 Kështu, merrni zemër, se unë kam besim në Perëndinë se do të bëhet ashtu siç më tha engjëlli. 26 Ne do të përfundojmë në një ishull».

27 Ishte nata e katërmbëdhjetë dhe, ndërsa po lundronim në detin Mesdhe*, rreth mesnatës detarët menduan se po i afroheshin tokës. 28 Atëherë lëshuan matësin e thellësisë dhe panë se thellësia ishte rreth tridhjetë e shtatë metra. Pak më vonë e matën përsëri thellësinë dhe ajo ishte njëzet e tetë metra. 29 Nga frika se mos përplaseshim me ndonjë shkëmb, hodhën katër spiranca nga kiçi dhe uronin që të zbardhte sa më shpejt.

30 Detarët donin ta braktisnin anijen dhe kishin ulur varkën e shpëtimit në det, gjoja për të vënë spirancat në bash. 31 Pali i tha kryeqindësit dhe ushtarëve: «Nëse këta njerëz nuk qëndrojnë në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni». 32 Atëherë ushtarët i prenë litarët e varkës së shpëtimit dhe e lanë të binte në det.

33 Ndërsa prisnin që të zbardhte, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka e u tha: «Sot është dita e katërmbëdhjetë që prisni të uritur e pa ngrënë asgjë. 34 Prandaj po ju këshilloj të hani diçka nëse doni të jetoni. Askush nga ju nuk do të humbë as edhe një fije floku».

35 Pasi tha këto, mori bukën, falënderoi Perëndinë para të gjithëve, e theu dhe filloi të hante. 36 Atëherë të gjithë morën zemër e hëngrën. 37 Të gjithë bashkë bëheshim dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta. 38 Pasi u ngopën, e hodhën drithin në det dhe e lehtësuan anijen.

Mbytja e anijes

39 Kur zbardhi, panë tokë, por nuk e dinin ku ishin. Atëherë vunë re një gji me një breg ranor dhe aty donin ta nxirrnin anijen, po të mundnin. 40 Kështu shkëputën spirancat nga anija dhe i lanë të binin në det. Në të njëjtën kohë liruan litarët e timonëve. Pastaj ngritën velin ballor që ta kapte era dhe u drejtuan drejt bregut. 41 Por hasën në një cekëtinë dhe anija ngeci në rërë. Bashi u ngul në rërë, ndërsa kiçi po copëtohej nga forca e dallgëve.

42 Ushtarët menduan t’i vrisnin të burgosurit, që asnjeri nga ata të mos ikte me not, 43 por kryeqindësi, që donte të shpëtonte Palin, i ndaloi ta bënin këtë. Ata që mund të notonin, i urdhëroi të hidheshin nga anija e të shkonin drejt tokës, 44 ndërsa të tjerët të kapeshin pas ndonjë dërrase apo ndonjë cope të mbetur nga anija. Kështu të gjithë arritën shëndoshë e mirë në breg.


 *27.27 gr. deti Adriatik (sepse ky ishte emri me të cilin njihej në atë kohë gjithë hapësira detare që shtrihej midis Greqisë, Sicilisë dhe Afrikës)