Veprat 26

Mbrojtja e Palit para Agripës

Agripa i tha Palit: «Ke leje të flasësh për veten».

Atëherë Pali ngriti dorën dhe u mbrojt kështu: «E quaj veten të lumtur që po mbrohem sot para teje, o mbret Agripë, për të gjitha paditë që judenjtë kanë ngritur kundër meje, sepse ti i njeh mirë të gjitha doket e mosmarrëveshjet e judenjve. Prandaj, të lutem, më dëgjo me durim.

Të gjithë judenjtë e dinë sesi kam jetuar që kur kam qenë i ri. Kam jetuar që nga fillimi mes popullit tim, në Jerusalem. Ata më njohin që prej shumë kohësh dhe mund të dëshmojnë se unë i përkisja sektit më të rreptë të fesë sonë dhe se kam jetuar si farise. Ndërsa tani qëndroj këtu për t’u gjykuar për shkak se shpresoj në premtimin që Perëndia u ka dhënë etërve tanë, të cilin dymbëdhjetë fiset tona shpresojnë ta arrijnë, duke adhuruar Perëndinë ditë e natë me përkushtim. Për këtë shpresë, o mbret, më kanë paditur judenjtë. Përse ju duket e pabesueshme që Perëndia të ngjallë të vdekurit?

Edhe unë vetë kam menduar se duhej të bëja gjithçka që mundesha kundër emrit të Jezuit të Nazaretit 10 dhe këtë gjë bëra në Jerusalem. Me pushtetin që mora nga kryepriftërinjtë kam çuar në burg shumë nga të shenjtët dhe kam dhënë miratimin tim kur i dënonin me vdekje. 11 Shpeshherë, në të gjitha sinagogat, jam munduar që me anë të dhunës t’i detyroj të mohojnë besimin e tyre dhe zemërimi im kundër tyre ishte aq i madh, saqë i kam përndjekur edhe në qytetet e huaja».

Pali tregon sesi u bë i krishterë

(Vp 9.1-19; 22.6-16)

12 «Kështu, u nisa për në Damask me pushtetin e lejen e kryepriftërinjve. 13 Gjatë rrugës, aty nga mesdita, o mbret, pashë një dritë nga qielli, që ishte më e shndritshme se dielli, që shndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin me mua. 14 Ramë të gjithë përdhe dhe unë dëgjova një zë që më tha në hebraisht: “Saul, Saul, përse më përndjek? Do të lëndohesh duke hedhur shkelma kundër hostenit”. 15 Unë e pyeta: “Kush je ti, o Zot?”. Zoti m’u përgjigj: “Unë jam Jezui që ti po përndjek, 16 por ngrihu e qëndro në këmbë. T’u shfaqa që të të bëj shërbëtorin tim e që të dëshmosh ato që pe dhe ato që do të të tregoj. 17 Unë do të të mbroj edhe nga populli yt, edhe nga kombet, te të cilat po të dërgoj, 18 që t’u hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve e do të kenë pjesë me të shenjtëruarit”».

Pali flet për predikimin e vet

19 «Pas kësaj, o mbret Agripë, unë nuk mund të tregohesha i pabindur ndaj vegimit qiellor, 20 por fillova të predikoj së pari në Damask e në Jerusalem, dhe pastaj në mbarë krahinën e Judesë, si edhe te kombet, se ata duhet të pendohen e të kthehen te Perëndia dhe se duhet të bëjnë vepra që tregojnë se janë penduar. 21 Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin. 22 Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për t’i dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin: 23 se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do t’u bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve».

Pali dhe Agripa flasin për besimin

24 Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt». 25 Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta e të arsyeshme. 26 Mbreti i njeh mirë këto gjëra, prandaj unë flas hapur me të. Jam i sigurt se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse këto nuk kanë ndodhur në fshehtësi. 27 O mbret Agripë, a u beson profetëve? Unë e di se ti u beson». 28 Agripa i tha Palit: «Për pak edhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë». 29 Pali u përgjigj: «Unë i lutem Perëndisë që herët a vonë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që po më dëgjojnë sot të bëhen si unë, përveç këtyre prangave!».

30 Atëherë mbreti, qeveritari, Bernika dhe të gjithë ata që ishin ulur me ta u ngritën 31 dhe kur po dilnin, i thoshin njëri-tjetrit: «Ky njeri nuk ka bërë asgjë, që të meritojë vdekjen apo burgimin».

32 Agripa i tha Festit: «Po të mos kishte kërkuar të gjykohej prej Cezarit, ky njeri mund të ishte lënë i lirë».