Veprat 11

Pjetri para kishës në Jerusalem

Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet e kishin pranuar fjalën e Perëndisë. Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, besimtarët e rrethprerë e sulmuan me fjalë e i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta».

Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur: «Isha në qytetin e Jopës e po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë. Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësha të tokës, egërsira, rrëshqanorë e shpendë të qiellit. Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha”. Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, se nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra”.

Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”. 10 Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell. 11 Menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezareja, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne. 12 Shpirti më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu. 13 Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër. 14 Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen”.

15 Kur fillova të flisja, Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta sikurse kishte zbritur mbi ne në fillim. 16 Atëherë m’u kujtua fjala e Zotit, që tha: “Gjoni pagëzon me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë”. 17 Nëse Perëndia u dha kombeve të njëjtën dhuratë që na ka dhënë neve kur besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?».

18 Kur dëgjuan këto gjëra, ata u qetësuan dhe e përlëvduan Perëndisë duke thënë: «Atëherë Perëndia ua ka dhënë edhe kombeve pendimin që udhëheq drejt jetës».

Kisha në Antioki

19 Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki, por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve e askujt tjetër. 20 Mes tyre ishin edhe disa burra nga Qipro dhe Kirena, të cilët, rrugës për në Antioki, ua shpallën ungjillin, Zotin Jezu, edhe judenjve greqishtfolës. 21 Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besuan e u kthyen te Zoti. 22 Lajmi për këtë gjë arriti në vesh të kishës në Jerusalem dhe ata dërguan Barnabën të shkonte deri në Antioki.

23 Kur ai arriti atje dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua e i porositi të gjithë që t’i qëndronin besnikë Zotit, me gjithë zemër. 24 Barnaba ishte njeri i mirë, i mbushur me Shpirtin e shenjtë e me besim. Kështu, një numër i madh njerëzish besoi në Zotin.

25 Pastaj Barnaba shkoi në Tars për të kërkuar Saulin. 26 Kur e gjeti, e solli në Antioki. Ata qëndruan aty një vit të tërë me kishën dhe mësuan shumë njerëz. Në Antioki dishepujt u quajtën të krishterë për herë të parë.

27 Në ato ditë, në Antioki erdhën disa profetë nga Jerusalemi. 28 Njëri prej tyre, që quhej Hagab, tregoi me anë të Shpirtit se do të binte një zi e madhe buke në tërë botën, gjë që ndodhi në kohën kur perandor ishte Klaudi. 29 Atëherë dishepujt vendosën që secili prej tyre, sipas mundësive që kishte, të jepte diçka për të ndihmuar vëllezërit që ishin në Jude. 30 Dhe ashtu bënë. Ndihmën ua dërguan pleqve të kishës me Barnabën e Saulin.