Vajtimet 5

Lutje për mëshirë

Kujtohu, o Zot, për çfarë na gjeti,

shikoje e vëreje poshtërimin tonë.

Trashëgimia jonë u kaloi të huajve,

shtëpitë tona të panjohurve.

U bëmë jetimë pa atë,

nënat tona si të veja.

Për ujin na duhen para,

edhe drutë e kanë një çmim.

Na kanë rënë në qafë,

u zalisëm e nuk gjejmë prehje.

I shtrijmë dorën Egjiptit e Asirisë

për t’u nginjur me bukë.

Etërit tanë mëkatuan e nuk janë më,

por fajin e tyre e mbartim ne.

Skllevërit na sundojnë,

s’ka kush na shpëton prej dorës së tyre.

Luajmë me jetën për bukë

përballë shpatës së shkretëtirës.

10 Furrë na u bë lëkura

nga zhegu i urisë.

11 Gratë u dhunuan në Sion,

vashat në qytetet e Judës.

12 Princat i varën me duart e veta,

pleqtë nuk i nderojnë.

13 Të rinjtë mbartin mokrën,

djelmoshat luhaten nën barrën e druve.

14 Pleqtë nuk dalin te portat,

rinia e la muzikën.

15 Zemrës sonë iu shua gëzimi,

vallja na u kthye në zi.

16 Kurora na ra nga koka,

mjerë ne, se mëkatuam.

17 Prandaj na u mek zemra,

prandaj na u errën sytë,

18 se u shkretua mali i Sionit,

dhelprat enden nëpër të.

19 Por ti, o Zot, mbetesh përgjithmonë,

froni yt, brez pas brezi.

20 Pse na harrove fare?

A do të na braktisësh gjatë?

21 Na kthe te ti, o Zot, e ne do të kthehemi,

përtëriji ditët tona si dikur.

22 Mos na ke dëbuar përgjithmonë

dhe je tejet i zemëruar me ne?