Ruta 3

Ruta dhe Boazi

Naomi, e vjehrra, i tha Rutës: «Bija ime, do të kërkoj për ty një shtëpi të qetë ku të jesh e lumtur. Boazi, me shërbëtoret e të cilit mblodhe kallinj, është i afërmi ynë. Ja, sonte ai do të shijë elbin në lëmë. Lahu, lyhu me erë të mirë, hidh mbulojën dhe shko te lëmi, por mos e lër të të shohë derisa të ketë mbaruar së ngrëni e së piri. Kur të shtrihet, shiko vendin ku fle dhe pastaj shko, zbulo këmbët e tij dhe shtrihu aty. Do të të thotë ai se çfarë duhet të bësh». Ruta iu përgjigj: «Do të bëj gjithçka që më the». Pastaj shkoi në lëmë dhe bëri siç e kishte porositur e vjehrra.

Boazi hëngri e piu sa iu kënaq zemra dhe shkoi të shtrihet pranë pirgut të elbit. Fshehurazi shkoi edhe Ruta, ia zbuloi këmbët dhe u shtri. Aty nga mesi i natës, Boazi u drodh në gjumë dhe, kur u kthye në krahun tjetër, pa një grua të shtrirë te këmbët e tij. Ai e pyeti: «Kush je ti?». Ajo iu përgjigj: «Jam unë, Ruta, shërbëtorja jote. Shtrije mbulesën mbi shërbëtoren tënde, sepse ti ke të drejtën të kujdesesh për mua». 10 Atëherë Boazi i tha: «Të bekoftë Zoti, bija ime, sepse tani ke treguar mirësi edhe më të madhe se më parë, duke mos shkuar pas djemve të rinj, të varfër a të pasur. 11 Prandaj, mos ki frikë, bija ime. Do t’i bëj të gjitha ato që thua, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë se ti je një grua e virtytshme. 12 Është e vërtetë që unë jam një nga të afërmit që ka të drejtën të kujdeset për ty, por është edhe një tjetër, më i afërt se unë. 13 Sonte rri këtu. Nëse në mëngjes ai merr përsipër të kujdeset për ty, mirë; le të kujdeset ai për ty. Nëse ai nuk do të dojë të kujdeset për ty, atëherë pasha Zotin do të kujdesem unë. Shtrihu e fli deri në mëngjes». 14 Ruta u shtri për të fjetur te këmbët e Boazit deri në mëngjes dhe u ngrit para se ta dallonte njeri, sepse Boazi i kishte thënë që të mos e merrte vesh njeri se Ruta kishte shkuar në lëmë. 15 Boazi i tha: «Hiqe shallin që ke veshur dhe mbaje!». Ruta e mbajti dhe Boazi i hodhi gjashtë masa elbi. Pastaj ia hodhi mbi supe dhe u kthye në qytet. 16 Kur Ruta u kthye tek e vjehrra, ajo i tha: «Si shkoi, bija ime?». Atëherë Ruta i tregoi gjithçka që kishte bërë Boazi për të 17 dhe shtoi: «Më dha edhe këto gjashtë masa elbi e më tha: “Mos u kthe duarzbrazur te vjehrra jote”». 18 Naomi i tha: «Qëndro këtu, bija ime, derisa të marrësh vesh sesi do të shkojë kjo punë. Boazi nuk do të rrijë pa e mbaruar sot këtë gjë».