Ruta 2

Ruta në arën e Boazit

Naomi kishte një të afërm të burrit, një njeri të pasur dhe me rëndësi, që vinte nga familja e Elimelekut. Ai quhej Boaz.

Ruta, moabitja, i tha Naomit: «Më lër të shkoj në arë që të mbledh kallinj gruri pas atij që do të tregohet i mirë me mua». Naomi i tha: «Shko, bija ime!». Ruta shkoi në arë dhe mblodhi kallinj pas korrësve. Rastisi që të ndodhej në pjesën e arës së Boazit, të afërmit të Elimelekut.

Atëherë Boazi erdhi prej Betlehemit e u tha korrësve: «Zoti qoftë me ju!». Ata iu përgjigjën: «Zoti të bekoftë!». Pastaj Boazi pyeti shërbëtorin që mbikëqyrte korrësit: «E kujt është kjo vajzë?». Ai iu përgjigj: «Është ajo vajza moabite që u kthye me Naomin nga krahina e Moabit. M’u lut ta lija të mblidhte kallinj pas korrësve. Ka ardhur që në mëngjes dhe ka qëndruar deri tani pa shkuar fare në shtëpib».

Atëherë Boazi i tha Rutës: «Dëgjo, bija ime! Mos shko në tjetër arë për të mbledhur kallinj, por qëndro në këtë arë me shërbëtoret e mia. Mbaji sytë tek ara ku korrin dhe shko pas tyre. U kam dhënë urdhër shërbëtorëve që mos të të prekin. Po të kesh etje, shko të pish te shtambat që mbushin ata». 10 Atëherë ajo u përkul me nderim përdhe e i tha: «Si kam gjetur hir para teje që po kujdesesh për mua, një të huaj?». 11 Boazi iu përgjigj: «Më treguan gjithçka bëre për vjehrrën tënde pasi të vdiq burri, si le atin, nënën dhe tokën e të parëve të tu dhe erdhe te një popull që nuk e njihje më parë. 12 Zoti të shpërbleftë për çfarë ke bërë dhe marrsh shpërblim të plotë nga Zoti, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit ke ardhur për të gjetur strehë!». 13 Ruta i tha: «Gjetsha hir para teje, imzot, sepse më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores tënde, megjithëse unë nuk jam një nga shërbëtoret e tua».

14 Kur erdhi koha për të ngrënë, Boazi i tha: «Eja këtu e ha pak bukë dhe ngjyeje kafshatën në uthull». Ajo u ul pranë korrësve dhe Boazi i dha kaçamak. Ruta hëngri, u ngop e i teproi. 15 Kur Ruta u ngrit për të mbledhur kallinj, Boazi i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Lëreni të mbledhë kallinj edhe mes duajve e mos i thoni gjë. 16 Këpusni edhe disa kallinj për të dhe lërini që t’i mbledhë, por mos i thoni gjë».

17 Ruta mblodhi kallinj në fushë deri në darkë. Pastaj i shiu kallinjtë që kishte mbledhur dhe u bënë rreth tridhjetë kilogramë elb. 18 E ngarkoi, shkoi në qytet dhe i tregoi vjehrrës ç’kishte mbledhur. Pastaj nxori çfarë i kishte tepruar nga dreka e ia dha.

19 E vjehrra i tha: «Ku mblodhe kallinj sot? Ku punove? Bekuar qoftë ai që u kujdes për ty!». Atëherë Ruta i tregoi së vjehrrës se te kush kishte punuar e i tha: «Sot punova te një njeri që quhej Boaz». 20 Dhe Naomi i tha të resë: «Atë e bekoftë Zoti që nuk ka hequr dorë nga mirësia për të gjallët e për të vdekurit!». Pastaj i tha: «Është i afërmi ynë, një nga ata që kanë të drejtën të kujdesen për ne». 21 Ruta, moabitja, i tha: «Ai më tha edhe të qëndroj me shërbëtorët e tij derisa të përfundojë korrja e arave të tij». 22 Atëherë Naomi i tha Rutës, të resë: «Është mirë që do të dalësh me shërbëtoret e tij, bija ime, që mos të të bëj keq njeri në ndonjë arë tjetër». 23 Kështu, Ruta qëndroi me shërbëtoret e Boazit për të mbledhur kallinj derisa përfundoi korrja e elbit dhe e grurit. Ajo banonte me vjehrrën e saj.


 b2.7 të tjerë: pushoi vetëm një çast në shtëpi; ose: vetëm tani po pushon një çast