Ruta 1

Familja e Elimelekut në Moab

Në kohën kur qeverisnin gjyqtarët, në vend ra zia e bukës. Atëherë një njeri nga Betlehemi i Judës shkoi për të jetuar bashkë me gruan dhe me dy djemtë në krahinën e Moabit. Ai quhej Elimelek, gruaja e tij Naomi, ndërsa dy djemtë e tij Mahlon e Kilion. Ata ishin efratitë nga Betlehemi i Judës. Kur mbërritën në krahinën e Moabit dhe u vendosën atje, burri i Naomit, Elimeleku, vdiq dhe e la Naomin vetëm me dy djemtë. Dy djemtë u martuan me moabite. Njëra nga gratë quhej Orpa, ndërsa tjetra Ruta. Pas dhjetë vjetësh në atë vend, Mahloni e Kilioni vdiqën që të dy. Kështu, Naomi mbeti pa dy djemtë e pa burrin.

Naomi kthehet në Betlehem me Rutën

Atëherë Naomi u ngrit dhe u largua bashkë me dy të rejat nga krahina e Moabit për t’u kthyer në Judë, sepse kishte dëgjuar në Moab se Zoti ishte kujtuar për popullin e vet dhe i kishte dhënë bukë. Kështu, u largua bashkë me të rejat nga vendi ku kishte jetuar. Rrugës për t’u kthyer në tokën e Judës, Naomi u tha: «Kthehuni në shtëpitë e nënave tuaja dhe Zoti qoftë i mirë me ju, siç ishit edhe ju me mua dhe me të vdekurit e mi. Zoti ju dhëntë qetësi në shtëpitë e burrave tuaj». Dhe pastaj i puthi. Ato qanë me të madhe 10 e i thanë: «Do të kthehemi me ty te populli yt». 11 Por Naomi u tha: «Kthehuni bijat e mia! Përse doni të vini me mua? A mund të lind unë më djem, që të martohen me ju? 12 Kthehuni bijat e mia! Shkoni, sepse jam shumë plakë për t’u martuar. Edhe sikur të thosha se kam ende shpresë për t’u martuar sonte dhe për të lindur bij, 13 a do të pritnit derisa të rriteshin e nuk do të martoheshit? Jo, bijat e mia! Hidhërimi im është tepër i madh për jua, sepse dora e Zotit është ngritur kundër meje». 14 Atëherë ato qanë përsëri me të madhe.

Pastaj Orpa e puthi të vjehrrën dhe u largua, ndërsa Ruta nuk u nda prej saj. 15 Naomi i tha: «Kunata jote u kthye te populli dhe te perënditë e saj. Shko edhe ti pas saj!». 16 Ruta i tha: «Mos këmbëngul që të të lë vetëm e të kthehem pas. Ku të shkosh ti do të shkoj edhe unë. Ku të rrish ti do të rri edhe unë. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt do të jetë Perëndia im. 17 Ku do të vdesësh ti do të vdes edhe unë dhe po atje do të varrosem. Keq e më keq ma bëftë Zoti nëse na ndan gjë përveç vdekjes!». 18 Kur pa se Ruta ishte e vendosur për të shkuar pas saj, Naomi nuk i tha më gjë. 19 Të dyja vijuan rrugën derisa mbërritën në Betlehem.

Kur mbërritën atje, i gjithë qyteti u pështjellua dhe gratë filluan të pyesin: «Naomi është kjo?». 20 Naomi u tha: «Mos më quani Naomi, por më quani Mara, sepse i gjithëpushtetshmi më ka mbushur me shumë hidhërime. 21 Ika plot me të mira, por Zoti më ktheu duarzbrazur. Përse më quani Naomi kur Zoti ka dalë kundër meje dhe i gjithëpushtetshmi ka sjellë mbi mua fatkeqësi?».

22 Naomi u kthye në Betlehem kur po fillonte korrja e elbit. Bashkë me të, nga krahina e Moabit, u kthye edhe Ruta, moabitja, nusja e të birit.


 a1.13 të tjerë: Unë jam tepër fatkeqe që të mund t’ju ndihmoj; ose: Hidhërimi im është më i madh se juaji