Romakëve 4

Shembulli i Abrahamit

Ç’të themi, pra, për Abrahamin, stërgjyshin tonë? Çfarë fitoi ai si njeri? Nëse Abrahami do të ishte bërë i drejtë falë veprave, atëherë ai do të kishte pse të mburrej, por jo para Perëndisë. Çfarë thotë Shkrimi? Abrahami i besoi Perëndisë dhe falë besimit Perëndia e bëri të drejtë.

Shpërblimi që i jepet punëtorit nuk është dhuratë, por është detyrim. Ndërsa ai që nuk ka vepra, por i beson Perëndisë që bën të drejtë mëkatarin, për shkak të besimit, bëhet i drejtë. Po ashtu edhe Davidi e quan të lum njeriun që Perëndia e bën të drejtë pa vepra:

lum ata të cilëve

u janë falur paudhësitë

e u janë fshirë mëkatet!

Lum njeriu, të cilit Zoti

nuk do t’ia llogarisë mëkatin!

A vlen kjo lumni vetëm për të rrethprerët apo edhe për të parrethprerët? Ne sapo thamë: falë besimit Perëndia e bëri të drejtë Abrahamin. 10 Po kur e bëri të drejtë? Kur ishte i rrethprerë apo kur ishte i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë.

11 Abrahami e mori shenjën e rrethprerjes si vulë që tregonte se ishte bërë i drejtë përmes besimit kur ishte ende i parrethprerë. Kështu, ai u bë ati i të gjithë atyre që besojnë në Perëndinë pa u rrethprerë, në mënyrë që Perëndia t’i bëjë të drejtë për shkak të besimit. 12 Ai u bë edhe ati i atyre të rrethprerëve që nuk janë vetëm të rrethprerë, por që edhe ecin në gjurmët e besimit që kishte ati ynë, Abrahami, para se të rrethpritej.

Premtimi përmes besimit

13 Perëndia i premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij se Abrahami do të trashëgonte botën jo përmes bindjes ndaj ligjit, por përmes besimit që e bëri atë të drejtë. 14 Nëse ata që i binden ligjit do të bëheshin trashëgimtarë të premtimit, atëherë besimi do të ishte i kotë dhe premtimi nuk do të kishte më vlerë.

15 Sepse ligji sjell zemërimin e Perëndisë, por ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje të ligjit. 16 Prandaj, premtimi përmbushet prej besimit, që të jetë nga hiri i Perëndisë dhe të jetë i sigurt për të gjithë pasardhësit e Abrahamit, jo vetëm për ata që e zbatojnë ligjin, por edhe për ata që besojnë si Abrahami. Ai është ati i ne të gjithëve, 17 sikurse është shkruar: të kam bërë atë të shumë kombeve. Ai është ati ynë para Perëndisë të cilit i besoi, Perëndisë që u jep jetë të vdekurve dhe që me anë të fjalës së tij krijoi gjithçka që nuk kishte qenë më parë.

18 Kundër çdo shprese, Abrahami besoi me shpresë se do të bëhej atë i shumë kombeve, sipas asaj që ishte thënë: kështu do të jenë pasardhësit e tu. 19 Abrahamit nuk iu dobësua besimi edhe kur ishte rreth njëqind vjeç dhe kuptoi se trupi i tij dhe i Sarës ishin pothuaj të vdekur e nuk mund të lindnin fëmijë. 20 Ai nuk e humbi besimin e nuk dyshoi në premtimin e Perëndisë, por u forcua prej besimit dhe i dha lavdi Perëndisë.

21 Ai ishte plotësisht i bindur se Perëndia ishte në gjendje të bënte gjithçka kishte premtuar. 22 Prandaj, falë besimit, Perëndia e bëri të drejtë. 23 Fjalët «u bë i drejtë» nuk u shkruan vetëm për të, 24 por edhe për ne. Të drejtë do të na bëjë edhe ne që i besojmë atij që e ngjalli Zotin tonë Jezu prej të vdekurve. 25 Ai iu dorëzua vdekjes për shkak të paudhësive tona dhe u ngjall që ne të bëhemi të drejtë.