Psalmet 99

Zoti mbretëron, le të dridhen popujt!

Mbi kerubë është ulur, le të trandet toka!

I madh është Zoti në Sion,

i lartësuar mbi të gjithë popujt.

Le ta përlëvdojnë emrin tënd të madh e të tmerrshëm,

sepse është i shenjtë.

Mbreti i fuqishëm e do drejtësinë.

Ti e ke caktuar ç’është e drejtë,

ti e ushtron gjykimin e drejtësinë te Jakobi.

Lartësojeni Zotin, Perëndinë tonë,

bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tij,

se është i shenjtë.

Moisiu e Aroni mes priftërinjve të tij,

Samueli mes atyre që thërrasin emrin e tij,

i thirrën Zotit e ai i dëgjoi.

Nga shtylla e resë u fliste

e ata i ruajtën dëshmitë e tij

dhe rregullat që u kishte dhënë.

Zot, Perëndia ynë, ti i dëgjove ata,

ti ishe për ta një Perëndi që fal,

por edhe i ndëshkoje gabimet e tyre.

Lartësojeni Zotin, Perëndinë tonë,

dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë,

se i shenjtë është Zoti, Perëndia ynë.