Psalmet 98

Psalm.

Këndojini Zotit një këngë të re,

se vepra të mrekullueshme bëri!

Ngadhënjeu me dorën e tij të djathtë

e me krahun e tij të shenjtë.

Zoti e bëri të njohur shpëtimin e tij,

në sytë e kombeve e shfaqi drejtësinë e tij.

Iu kujtua mirësia e besnikëria e tij për shtëpinë e Izraelit,

mbarë skajet e tokës e panë shpëtimin e Perëndisë tonë.

Të brohorasë për Zotin mbarë toka,

buçisni nga gëzimi, ngazëlleni e këndoni!

Këndojini Zotit me harpë,

me harpë e me tingullin e këngës,

me trumbetë e me tingullin e bririt,

brohoritni para Zotit, mbretit.

Le të ushtojë deti e gjithçka në të,

bota e gjithë banorët e saj.

Lumenjtë le të duartrokasin,

malet nga gëzimi tok le të buçasin,

para Zotit, se po vjen për të gjykuar tokën.

Ai do ta gjykojë botën me drejtësi

e popujt me paanësi.