Psalmet 93

Zoti mbretëron. Është veshur me madhështi.

Zoti është veshur e ngjeshur me fuqi.

Bota qëndron mbi themele të forta

dhe nuk do të trandet kurrë.

Froni yt qëndron i fortë që prej fillimit,

ti vetë je që prej amshimit.

Lumenjtë u frynë, o Zot,

lumenjtë ngritën zërin e tyre,

lumenjtë shtuan buçimën e tyre.

Më madhështor se buçima e ujërave të shumtë,

më madhështor se oshtima e valëve të detit

është Zoti në lartësi.

Dëshmitë e tua janë vërtet të besueshme,

shtëpisë sate i ka hije përjetë shenjtëria, o Zot.