Psalmet 92

Psalm. Këngë për të shtunën.

Është mirë të përlëvdosh Zotin

e t’i këndosh emrit tënd, o i Tejlartë,

mirësinë tënde të shpallësh në mëngjes

e besnikërinë tënde gjatë natës,

me qeste dhjetëkordëshe e me harpë,

me këngë shoqëruar me lirë.

Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,

ngazëllohem me punët e duarve të tua.

Sa madhështore janë veprat e tua, o Zot,

sa të thella janë mendimet e tua!

Njeriu i pamend nuk e di

e i marri nuk e kupton dot,

se, të pabesët, edhe pse mbijnë si bari,

edhe pse lulëzojnë ata që bëjnë paudhësi,

kanë për t’u shkatërruar përgjithmonë.

Por ti, o Zot,

je përjetë madhështor!

10 Ja, armiqtë e tu, o Zot,

ja, armiqtë e tu do të zhbihen

e ata që bëjnë paudhësi do të hapërdahen.

11 Ti më bëre të fortë si buallin,

më vajose me vaj të ri.

12 Syri im do të shohë

rënien e kundërshtarëve të mi,

veshët e mi do të dëgjojnë

poshtërimin e atyre që më bëjnë keq.

13 I drejti do të lulëzojë si palma,

do të rritet si cedri i Libanit.

14 Do të mbillet në shtëpinë e Zotit,

do të lulëzojë në oborret e Perëndisë tonë.

15 Do të japë fryte edhe në pleqëri,

do të jetë i shëndetshëm e plot freski,

16 për të shpallur se Zoti është i drejtë.

Ai është shkëmbi im e tek ai nuk ka padrejtësi.