Psalmet 88

Këngë. Psalm i bijve të Korahut. Mjeshtrit të korit. Me melodi të trishtueshme. Himn i Heman Ezrahitit.

Zot, Perëndia i shpëtimit tim,

ty të thërras ditë e natë.

Lutja ime mbërrittë te ti,

vëri vesh kujës sime.

Më është mbushur shpirti me të këqija,

jeta ime është pranë skëterrës.

Më radhitin me ata që kallen në varr,

jam bërë si njeri pa forcë.

Endem mes të vdekurve,

si të vrarët që dergjen varreve,

si ata që ti nuk i kujton më,

që janë shkëputur nga dora jote.

Më ke plandosur në gropën më të thellë,

në skutat më të errëta të thellësive.

Mbi mua rëndon zemërimi yt,

mbi mua përplasen gjithë dallgët e tua. selah

Largove prej meje të njohurit e mi,

më bëre të neveritshëm për ta.

Jam mbyllur brenda e më nuk dal,

10 sytë më janë venitur prej mjerimit.

Ty të kam thirrur përditë, o Zot,

duart drejt teje i kam shtrirë.

11 Pse, për të vdekurit do t’i bësh mrekullitë?

Mos do të ngrihen hijet e të vdekurve të të përlëvdojnë? selah

12 Mos ka për të folur kush në varr për mirësinë tënde,

apo për besnikërinë tënde në vendin e shkatërrimit?

13 Mos kanë për t’u njohur në errësirë mrekullitë e tua,

apo drejtësia jote në vendin e harresës?

14 Por unë të thërras ty, o Zot, për ndihmë,

lutja ime mbërrin para teje që në mëngjes.

15 Përse më hedh tej, o Zot?

Përse e fsheh fytyrën prej meje?

16 I mjerë jam unë e në prag të vdekjes që në rini,

vuaj prej tmerreve të tua plot dëshpërim.

17 Më mbulojnë zemërimet e tua,

tmerret e tua më rrënojnë.

18 Më rrethojnë si uji tërë ditën,

vërshojnë mbi mua nga të gjitha anët.

19 Largove prej meje miq e shokë,

vetëm errësira më bën shoqëri.