Psalmet 87

Bijve të Korahut. Psalm. Këngë.

Themelet e tij janë mbi malet e shenjtë,

Zoti i do portat e Sionit

më shumë se të gjitha banesat e Jakobit.

Gjëra të lavdishme thuhen për ty,

o qytet i Perëndisë. selah

Nga ata që më njohin

do të përmend Rahabin e Babiloninë;

ja, Filistea, Tiri dhe Kushi,

atje kanë lindur edhe ato.

Për Sionin do të thuhet:

«Në të ka lindur çdo njeri,

atë e ka themeluar vetë i Tejlarti».

Zoti do të shkruajë kur të shënojë popujt:

«Ky ka lindur atje». selah

Këngëtarët e valltarët do të thonë:

«Te ti i kemi rrënjët».