Psalmet 86

Lutje e Davidit.

Mba vesh, o Zot, e më dëgjo,

se jam skamnor e nevojtar.

Ruaje shpirtin tim, se jam besniku yt, o Perëndia im.

Shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.

Mëshiromë, o Zot,

se ty të thërras gjithë ditën.

Gëzoja shpirtin shërbëtorit tënd,

se te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

Ti je i mirë, o Zot, i gatshëm për të falur

e plot mirësi për ata që të thërrasin.

Vëri vesh lutjes sime, o Zot,

dëgjoje zërin e përgjërimit tim.

Ditën e fatkeqësisë të thërras,

sepse ti më përgjigjesh.

Nuk ka si ty mes perëndive, o Zot,

nuk ka si veprat e tua.

Ti i krijove të gjitha kombet,

para teje do të vijnë e do të përkulen

dhe emrin tënd do të lavdërojnë, o Zot.

10 Ti je i madh e bën mrekulli,

vetëm ti je Perëndi.

11 Mësomë, o Zot, udhën tënde,

që të eci në të vërtetën tënde,

më bëj ta druaj emrin tënd me gjithë zemër.

12 Do të të falënderoj me gjithë zemër, o Zot, Perëndia im,

dhe emrin tënd do ta lavdëroj përjetë.

13 E madhe është mirësia jote ndaj meje,

nga thellësitë e skëterrës më shpëtove.

14 O Perëndi, kryeneçët u ngritën kundër meje,

turma gjakatarësh kërkojnë vdekjen time

e ty nuk të kanë për gjë.

15 Por ti, o Zot, je Perëndi i dhembshur e i mëshirshëm,

i ngadaltë në zemërim dhe plot mirësi e besnikëri.

16 Kthehu nga unë e ki mëshirë për mua,

jepi fuqi shërbëtorit tënd,

birin e shërbëtores sate shpëtoje.

17 Dëfto një shenjë mirësie ndaj meje,

që ta shohin ata që më urrejnë e të turpërohen,

se ti, o Zot, më ndihmove e më ngushëllove.