Psalmet 85

Mjeshtrit të korit. Psalm i bijve të Korahut.

Tokën tënde e ke për zemër, o Zot,

Jakobin prej robërisë e ktheve.

Paudhësinë popullit ia fale,

të gjitha mëkatet ia mbulove. selah

Furinë tënde e fashite krejt,

prej zemërimit tënd dorë hoqe.

Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë,

jepi fund mërisë sate kundër nesh.

Mos vallë përjetë do të jesh i zemëruar me ne?

Mos vallë brez pas brezi do të zgjatë zemërimi yt?

A nuk do të kthehesh të na japësh jetë,

që populli yt të gëzohet në ty?

Tregona, o Zot, mirësinë tënde,

jepna shpëtimin tënd.

Do të dëgjoj se ç’thotë Zoti Perëndi.

Ja, paqe i premton popullit dhe besnikëve të vet

e nuk do t’i lërë të bien sërish në marrëzi.

10 Shpëtimi i tij është vërtet pranë atyre që e druajnë,

që lavdia të banojë në tokën tonë.

11 Mirësia dhe e vërteta u puqën,

drejtësia dhe paqja u puthën.

12 E vërteta do të mbijë nga toka,

drejtësia do të vështrojë prej qiellit.

13 Po, Zoti ka për të dhënë të mira

e toka jonë ka për të dhënë prodhim.

14 Përpara do t’i prijë drejtësia

e udhën do t’u hapë hapave të tij.