Psalmet 83

Këngë. Psalm i Asafit.

O Perëndi, mos e mbyll gojën!

O Perëndi, mos rri i heshtur e mos u preh!

Se ja, armiqtë e tu po turfullojnë,

ata që të urrejnë kanë ngritur krye.

Thurin të këqija kundër popullit tënd,

këshillohen me njëri-tjetrin

kundër atyre që ke për zemër.

«Ejani», thonë, «T’i shfarosim si komb,

emri i Izraelit mos u kujtoftë më».

Kanë rënë të gjithë në një mendje,

kanë lidhur besën kundër teje.

Tendat e Edomit dhe ishmaelitët,

Moabi bashkë me hagritët,

Gebali, Amoni dhe Amaleku,

Filistea me banorët e Tirit,

me ta u bashkua edhe Asiria,

krah iu bënë bijve të Lotit. selah

10 Bëjua atyre siç ia bëre Midianit e Siserit,

siç ia bëre Jabinit në përroin e Kishonit.

11 Në Endor morën fund,

si pleh për tokën u bënë.

12 Bëjua fisnikëve të tyre si Orebit e Zebit,

tërë princave të tyre si Zebahut e Calmunaut.

13 Se thanë: «T’i marrim për vete

kullotat e Perëndisë».

14 O Perëndia im, bëji ata si shakullina,

si kashta që e përpin era.

15 Si zjarri që djeg pyllin,

si flaka që zhurit malet.

16 Ndiqi, pra, me shtrëngatën tënde,

me thëllimin tënd futua tmerrin.

17 Mbulojua fytyrën me turp

dhe emrin tënd do të kërkojnë, o Zot.

18 U turpërofshin e u tmerrofshin përgjithmonë,

u poshtërofshin e marrshin fund.

19 Kështu do ta dinë se «Zot» është emri yt,

se ti je i vetmi i Tejlartë mbi mbarë dheun.