Psalmet 82

Psalm i Asafit.

Perëndia u ngrit në kuvendin hyjnor

e në mes të perëndive shpall gjykim:

«Deri kur do të gjykoni padrejtësisht

e anën e të paudhëve do të mbani? selah

Jepini të drejtën të mjerit e jetimit,

bëjini drejtësi të vuajturit e skamnorit.

Çlirojeni të mjerin e nevojtarin,

prej dorës së të paudhëve shpëtojini.

As dinë e as kuptojnë, nëpër terr enden;

tranden gjithë themelet e tokës».

E unë thashë: «Jeni perëndi,

të gjithë jeni bij të të Tejlartit.

Por do të vdisni si çdo njeri,

si çdo prijës do të bini».

Ngrihu, o Perëndi, gjyko tokën,

se ti do të trashëgosh tërë kombet.