Psalmet 81

Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i Asafit.

Ngazëlleni në Perëndinë, forcën tonë,

brohoritni për Perëndinë e Jakobit.

Merrjani këngës e bjerini dajres,

lirës gazmore e harpës bashkë me të.

Bjerini bririt për hënën e re,

për hënën e plotë, ditën e të kremtes sonë.

Se ky është rregull për Izraelin,

vendim i Perëndisë së Jakobit.

Kjo dëshmi iu dha Jozefit,

kur doli prej tokës së Egjiptit.

Dëgjova një zë që nuk e njihja:

«Ia hoqa barrën prej shpatullave,

duart prej shportës ia lirova.

Më thirre në fatkeqësi e të çlirova,

t’u përgjigja i fshehur mes gjëmimit,

tek ujërat e Meribës në provë të vura. selah

Dëgjomë, o populli im, e do të të qortoj.

Ah, sikur të më dëgjoje, o Izrael!

10 Nuk do të ketë te ti perëndi tjetër,

para asnjë perëndie të huaj nuk do të përkulesh.

11 Unë jam Zoti, Perëndia yt,

unë të nxora prej tokës së Egjiptit,

hape gojën e do të ta mbush.

12 Por populli im nuk ma dëgjoi zërin,

Izraeli nuk më vuri vesh.

13 Atëherë i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre

të ecnin sipas shestimeve të tyre.

14 Ah, sikur të më dëgjonte populli im!

Ah, sikur të ecte Izraeli udhëve të mia!

15 Atëherë do t’i poshtëroja menjëherë armiqtë e tij,

dorën do ta ktheja kundër kundërshtarëve të tij.

16 Ata që e urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin,

ky do të ishte fati i tyre në amshim.

17 E unë do ta ushqeja me grurin më të mirë,

do ta ngopja me mjaltë prej shkëmbi».