Psalmet 80

Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Zambakët». Dëshmi. Psalm i Asafit.

Ti, o bari i Izraelit, mba vesh,

ti që si grigjës i prin Jozefit,

ti që ulesh mbi kerubët, shkëlqe.

Para Efraimit, Benjaminit e Manaseut

ngrije peshë fuqinë tënde

e eja të na ndihmosh.

O Perëndi, na kthe sërish,

bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,

që të shpëtojmë.

Zot, Perëndi i ushtrive,

deri kur do të jesh i zemëruar

ndaj lutjes së popullit tënd?

I ke ushqyer me bukë lotësh,

u ke dhënë të pinë kaq shumë lot.

Na ke bërë të jemi shkak grindjesh për fqinjët,

armiqtë tanë tallen me ne.

O Perëndi i ushtrive, na kthe sërish,

bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,

që të shpëtojmë.

Një hardhi prej Egjiptit shkule,

dëbove kombe dhe e mbolle.

10 Tokën për të gati e bëre,

rrënjë hodhi e dheun mbushi.

11 Hija e saj mbuloi malet,

degët e saj cedrat e Perëndisë.

12 Filizat e saj i shtriu deri në det,

pinjollët e saj deri në lumë.

13 Gardhin përse ia shthure,

që të vjelë prej saj çdo kalimtar?

14 E shkretoi derri i egër,

aty kullotin egërsirat e fushës.

15 Kthehu, o Perëndi i ushtrive,

hidh sytë prej qiellit,

vështroje e kujdesu për këtë hardhi,

16 për atë që mbolli dora jote e djathtë,

për pinjollin, që e rrite të fortë për veten tënde.

17 E kanë djegur me zjarr, e kanë prerë;

marrshin fund prej kërcënimit të fytyrës sate.

18 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtës sate,

mbi birin e njeriut, që e rrite të fortë për veten.

19 E ne nuk do të largohemi më prej teje,

jepna jetë, që të thërrasim emrin tënd.

20 Zot, Perëndi i ushtrive, na kthe sërish,

bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,

që të shpëtojmë.