Psalmet 79

Psalm i Asafit.

Trashëgiminë tënde e kanë pushtuar kombet, o Perëndi,

tempullin tënd të shenjtë e kanë përdhosur,

Jerusalemin në gërmadhë e kanë kthyer.

Kufomat e shërbëtorëve të tu

ua dhanë për ushqim shpendëve të qiellit,

mishin e besnikëve të tu egërsirave të tokës.

Gjakun e tyre e derdhën si ujë përreth Jerusalemit

e nuk kishte kush t’i varroste.

Jemi bërë tallje për fqinjët tanë,

përqeshje e lojë për ata që na rrethojnë.

Deri kur, o Zot? Përjetë do të jesh i zemëruar?

A do të ndizet si zjarr furia jote?

Derdhe zemërimin tënd mbi kombe që s’të njohin,

mbi mbretëri që nuk thërrasin emrin tënd.

Se e kanë gllabëruar Jakobin,

banesën e tij e kanë shkretuar.

Mos na i kujto paudhësitë e së shkuarës,

por ardhtë sa më shpejt mëshira jote,

se kemi rënë shumë poshtë.

Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit tonë,

për lavdinë e emrit tënd,

na çliro e na i fal mëkatet,

për hir të emrit tënd.

10 Përse të thonë kombet:

«Ku është Perëndia i tyre?».

Le ta marrin, pra, vesh kombet

e ne me sytë tanë le ta shohim,

hakmarrjen për gjakun e derdhur

të shërbëtorëve të tu.

11 Ardhtë para teje gjëma e të robëruarve,

me fuqinë e krahut tënd

shpëto të dënuarit me vdekje.

12 Shpërblejua shtatëfish fqinjëve tanë mbi kurriz

poshtërimin që të bënë ty, o Zot.

13 E ne populli yt, delet e kullotës sate,

do të të përlëvdojmë në amshim

e brez pas brezi do të shpallim lavdinë tënde.