Psalmet 78

Himn i Asafit.

Vër re, o populli im, ligjin tim,

mba vesh fjalët e gojës sime.

Gojën do të hap e do të flas me shëmbëlltyra,

do të tregoj të fshehta nga e shkuara.

I kemi dëgjuar e i kemi ditur,

etërit tanë na i kanë treguar.

Nuk do t’ua mbajmë të fshehta bijve të tyre,

brezit të ardhshëm do t’ua tregojmë,

veprat e lavdishme dhe fuqinë e Zotit,

mrekullitë që ai bëri.

Ai vendosi një dëshmi për Jakobin,

caktoi një ligj në Izrael.

Etërve tanë u urdhëroi,

që bijve të tyre t’ua shpallin,

që t’i njohë edhe breznia e ardhshme,

bashkë me fëmijët që do të lindin.

E kur të rriten edhe ata,

bijve të vet do t’ua tregojnë,

që shpresën ta vënë te Perëndia,

që veprat e Perëndisë mos t’i harrojnë

e urdhërimet e tij t’i mbajnë,

që të mos bëhen si etërit e tyre,

një brez kokëfortë e kryengritës,

një brez me zemër të luhatur

e me shpirt të pabesë ndaj Perëndisë.

Bijtë e Efraimit, harkëtarë të zotë,

ditën e betejës shpinën kthyen.

10 Nuk e mbajtën besëlidhjen e Perëndisë,

nuk deshën të ecnin sipas ligjit të tij.

11 I harruan veprat e tij

dhe mrekullitë që u kishte dëftyer.

12 Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli,

në tokën e Egjiptit, në fushën e Coanit.

13 E ndau detin e i kaloi përmes,

ujërat i ndali e i bëri pirg.

14 Ditën u printe me një re,

gjithë natën me dritë flakëruese.

15 Në shkretëtirë çau shkëmbinj,

u dha të pinë si nga burimet e thella.

16 Përrenj nxori prej shkëmbit,

ujërat i bëri të rrjedhin si lumenj.

17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij,

në vend të shkretë ngritën krye

kundër të Tejlartit.

18 Në zemrat e tyre e tunduan Perëndinë,

kërkuan ushqim siç ua kishte ënda.

19 Kundër Perëndisë folën e thanë:

«A mundet Perëndia të shtrojë tryezë

në mes të shkretëtirës?

20 Ja, ai goditi shkëmbin e ujërat gëluan

dhe si përrenj vërshuan.

Por, a mundet t’i japë edhe bukë

e mish t’i gatitë popullit të vet?».

21 I dëgjoi Zoti e fort u zemërua,

zjarri u ndez kundër Jakobit,

zemërimi vloi kundër Izraelit,

22 se nuk besuan në Perëndinë

e as shpresuan në shpëtimin e tij.

23 Por ai urdhëroi retë prej së larti,

dyert e qiellit i hapi.

24 Si shi ua dërgoi manën për ushqim

e grurë prej qiellit u dha.

25 Çdonjëri hëngri bukë engjëjsh,

u dha ushqim sa u ngopën.

26 Në qiell ngriti erën e lindjes,

me pushtetin e tij bëri të fryjë shiroku.

27 Bëri të bjerë mish mbi ta si pluhuri,

shpendët fluturues si rëra e detit.

28 I bëri të bien mes fushimit të tyre,

rreth e rrotull tendave të tyre.

29 Hëngrën e mirë u ngopën,

çka donin ua dha.

30 Ende nuk ishin ngopur mirë

e ushqimin e kishin në gojë,

31 kur zemërimi i Perëndisë u ndez kundër tyre.

Më të fortët prej tyre i vrau,

të rinjtë e Izraelit i plandosi.

32 E megjithatë mëkatuan sërish

dhe në mrekullitë e tij nuk besuan.

33 Ditët e tyre u përfunduan në kotësi,

vitet e tyre patën fund të tmerrshëm.

34 Kur i vriste, atëherë e kërkonin,

ktheheshin dhe Perëndinë dëshironin.

35 Kujtoheshin se Perëndia ishte shkëmbi i tyre,

Perëndia, i Tejlarti, shpenguesi i tyre.

36 Por, me gojë e mashtronin,

me gjuhën e tyre i thoshin rrena.

37 Zemra e tyre nuk ishte përherë me të,

besëlidhjes së tij nuk i qëndruan besnikë.

38 Por ai është i dhembshur e paudhësinë ua falte.

Nuk i shkatërronte, zemërimin shpesh e ndalte

dhe furinë e tij nuk e linte të flakëronte.

39 Kujtohej se ishin prej mishi,

si era që shkon e më nuk kthehet.

40 Sa herë iu ngritën kundër në shkretëtirë!

Sa herë e hidhëruan në vend të shkretë!

41 Ktheheshin dhe prapë e tundonin Perëndinë,

e trishtonin të shenjtin e Izraelit.

42 Nuk u kujtohej më dora e tij e fuqishme,

dita kur i çliroi prej armikut:

43 shenjat, që kishte bërë në Egjipt,

veprat e mrekullueshme në fushën e Coanit.

44 Lumenjtë e armikut i kishte kthyer në gjak,

edhe rrjedhat e ujit, që të mos pinin më.

45 U dërgoi mori grethash, që t’i thumbonin,

bretkosa, që t’i shkatërronin.

46 Të korrat e tyre ua dha krimbave,

karkalecave mundin e tyre.

47 Vreshtat ua rrënoi me breshër,

pemët e fikut me brymë.

48 Me breshër ua goditi edhe bagëtinë,

me rrufe, gjënë e gjallë.

49 Dërgoi mbi ta flakën e zemërimit të tij,

furinë, mërinë e fatkeqësinë;

u dërgoi engjëj të këqij.

50 I hapi udhë zemërimit të tij,

jetën prej vdekjes nuk ua kurseu,

por i la në dorë të murtajës.

51 Shfarosi çdo të parëlindur në Egjipt,

frytin e parë të fuqisë së tyre në tendat e Kamit.

52 Si dhentë e ngriti prej andej popullin e tij,

u priu në shkretëtirë porsi grigjës.

53 I udhëhoqi me kujdes e frikë nuk patën,

armiqtë e tyre i mbuloi deti.

54 I çoi në vendin e tij të shenjtë,

në malin, që kishte fituar e djathta e tij.

55 Dëboi kombe para tyre

e tokën ua ndau me short për trashëgim.

Fiset e Izraelit i vuri të banojnë

nëpër tendat e tyre.

56 Por ata e tunduan përsëri,

ngritën krye kundër Perëndisë, të Tejlartit,

e dëshmitë e tij nuk i mbajtën.

57 U shmangën e, si etërit e tyre, të pabesë u treguan,

si harku i shtrembër, ata dredhuan.

58 Me faltoret në vende të larta e bënë të zemërohet,

me idhujt e gdhendur ia ndezën furinë.

59 E dëgjoi Perëndia e flakë u ndez,

rëndë e përçmoi Izraelin.

60 E braktisi tendën e Shilohut,

banesën, që kishte ngritur mes njerëzve.

61 Forcën e tij e la të bjerë në robëri,

lavdinë e tij në duart e armikut.

62 Popullin e tij ia dorëzoi shpatës,

kundër trashëgimisë së vet flakë u ndez.

63 Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri,

vashave nuk u kënduan.

64 Priftërinjtë e tyre ranë prej shpatës,

vejushat nuk i vajtuan.

65 E u ngrit Zoti, si prej gjumit,

si luftëtari trim, kur e kap vera.

66 Pas shpine u ra armiqve,

me turp të përjetshëm i mbuloi.

67 Poshtë e hodhi tendën e Jozefit,

fisin e Efraimit nuk e zgjodhi.

68 Zgjodhi fisin e Judës,

malin e Sionit, që fort e deshi.

69 Të lartë shumë e ndërtoi shenjtëroren,

ashtu si tokën, e themeloi në amshim.

70 E zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij,

prej tufave të dhenve e mori.

71 E mori prej deleve që mëndnin,

për të kullotur Jakobin, popullin e tij,

dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.

72 Me zemër të pastër i udhëhoqi,

me duar të afta u priu.