Psalmet 77

Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Asafit.

Me zërin tim i thërras Perëndisë,

me zërin tim i drejtohem Perëndisë

dhe ai më dëgjon.

E kërkova Zotin ditën e fatkeqësisë sime,

tërë natën i ngrita duart drejt tij pa u lodhur,

por shpirti im nuk gjeti ngushëllim.

Kujtoj Perëndinë e ofshaj,

përsiatem e më merret fryma. selah

Qepallat e syve m’i ke mbajtur hapur ti,

jam i tronditur e nuk flas dot.

Më kujtohen ditët e shkuara,

vitet e kaluara qëmoti.

Më kujtohen këngët e mia,

natën mendoj në zemrën time,

shpirti im kërkon të dijë.

A mos ka hequr dorë Zoti përgjithmonë?

Mos nuk do të na përkrahë më?

Mos mori fund përgjithmonë mirësia e tij?

Kaq ishte premtimi i tij brez pas brezi?

10 Mos ka harruar Perëndia të ketë mëshirë?

Mos nuk është më i dhembshur,

se është i zemëruar? selah

11 Ndaj dhe thashë: «Kjo më lëndon,

se ka ndryshuar e djathta e të Tejlartit».

12 Sjell ndër mend veprat e Zotit,

më kujtohen mrekullitë e tij të moçme.

13 Përsiat gjithë punët e tua,

mendohem për bëmat e tua.

14 O Perëndi, udha jote është e shenjtë,

cili perëndi është i madh si Perëndia ynë?

15 Ti je Perëndia që bën mrekulli,

fuqinë tënde e shfaqe ndër popuj.

16 Me forcën e krahut tënd e shpëtove popullin tënd,

pasardhësit e Jakobit e të Jozefit. selah

17 Të panë ujërat, o Perëndi,

të panë ujërat e u tmerruan,

edhe humnerat u drodhën.

18 Retë derdhën ujërat me rrëmbim,

mes tyre jehuan gjëmime

dhe shigjetat e tua vërshuan.

19 Gjëmimi yt jehoi nëpër stuhi,

vetëtimat shndritën botën,

toka u drodh e u trand.

20 Nëpër det ishte udha jote,

shtigjet e tua mes ujërash të shumtë

dhe gjurmët e tua nuk i njihte askush.

21 I prive popullit tënd si grigjës,

me dorën e Moisiut dhe të Aronit.