Psalmet 71

Te ti, o Zot, kërkova strehë,

mos lejo të turpërohem asnjëherë.

Sipas drejtësisë sate shpëtomë e çliromë,

prire veshin drejt meje e shpëtomë.

Bëhu për mua shkëmbi,

ku gjej përherë strehim.

Ti ke urdhëruar shpëtimin tim,

se ti je shkëmbi dhe fortesa ime.

O Perëndia im, shpëtomë nga dora e të paudhit,

nga kthetra e keqbërësit dhe e shtypësit.

Se ti, o Zot, je shpresa ime,

te ti, o Zot, kam besim që në rini.

Te ti jam mbështetur që në bark të nënës,

prej barkut të saj ti më nxore,

ty të përlëvdoj përherë.

Për shumë njerëz u bëra si shenjë mrekullie,

se ti ke qenë streha ime e fortë.

Goja ime është plot lavde për ty,

tërë ditën ty të madhëron.

Mos më hidh poshtë në pleqëri,

mos më braktis kur të më lënë fuqitë.

10 Ja, armiqtë e mi po flasin kundër meje,

ata që më përgjojnë, po shestojnë bashkë.

11 «Perëndia e ka braktisur», thonë.

«Ndiqeni pas e kapeni,

se nuk ka kush ta shpëtojë».

12 O Perëndi, mos u largo prej meje,

o Perëndia im, shpejto të më ndihmosh!

13 U turpërofshin e u shofshin

kundërshtarët e shpirtit tim,

u poshtërofshin e u turpërofshin

ata që më duan të keqen.

14 E unë do të shpresoj gjithmonë te ti,

do të të lavdëroj gjithnjë e më shumë.

15 Goja ime do të shpallë drejtësinë tënde,

gjithë ditën do të kumtojë shpëtimin tënd,

që nuk di ta mat.

16 Do të shpall veprat e fuqishme të Zotit, Zotit tim,

do të sjell ndër mend drejtësinë që është vetëm e jotja.

17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në rini,

e deri tani unë shpall mrekullitë e tua.

18 As kur të plakem e të thinjem,

mos hiq dorë prej meje, o Perëndi,

derisa t’ia shpall pushtetin tënd kësaj breznie,

fuqinë tënde të gjithë atyre që do të vijnë.

19 Drejtësia jote, o Perëndi, arrin lartësitë,

se ti ke bërë vepra madhështore.

O Perëndi, kush është i ngjashëm me ty?

20 Ti, që më dhe shumë fatkeqësi e mjerime,

ti do të ma përtërish jetën,

nga thellësitë e tokës do të më nxjerrësh,

lart do të më ngresh sërish.

21 Do të më japësh më shumë madhështi.

Do të kthehesh e do të më ngushëllosh.

22 E unë do të të përlëvdoj me tingullin e lirës,

besnikërisë sate do t’i këndoj, o Perëndia im,

do të të himnoj me harpë, o i shenjti i Izraelit.

23 Buzët e mia do të ngazëllejnë, kur të këndojnë për ty,

bashkë me shpirtin tim, që ti e shpengove.

24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde,

u turpërofshin e u poshtërofshin ata që ma duan të keqen.