Psalmet 70

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Si kujtesë.

Shpëtomë, o Perëndi,

Zot, shpejto të më ndihmosh.

U turpërofshin e u çnderofshin

ata që jetën duan të ma marrin,

u zmbrapsshin e u poshtërofshin

ata që më duan të keqen.

Pas u kthefshin të turpëruar

ata që për mua thonë: «Mirë t’i bëhet!».

Të gjithë ata që të kërkojnë

gëzofshin e ngazëllefshin me ty,

ata që duan shpëtimin prej teje

thënçin përherë: «I madh është Perëndia!».

Por unë jam i mjerë e nevojtar, o Perëndi,

shpejto të më vish pranë.

Ti je ndihma dhe shpëtimtari im,

Zot, mos vono.