Psalmet 66

Mjeshtrit të korit. Këngë. Psalm.

Brohoritni për Perëndinë

gjithë ju banorët e tokës!

Këndojini emrit të tij të lavdishëm,

bëjeni të madhërishëm përlëvdimin e tij!

Thuajini Perëndisë: «Të mrekullueshme janë veprat e tua!

Aq e madhërishme është fuqia jote,

sa armiqtë të bëjnë lajka.

Gjithë banorët e tokës përkulen para teje

e të këndojnë himne,

i këndojnë himne emrit tënd». selah

Ejani e shihni ç’ka bërë Perëndia,

sa i mrekullueshëm është

kur vepron për njerëzit.

Detin e shndërroi në tokë të thatë,

lumin e kaluan në këmbë,

prandaj le të gëzojmë në të.

Ai sundon në amshim me fuqinë e tij,

sytë e tij vëzhgojnë kombet,

kryeneçët të mos krenohen. selah

Bekoni, o popuj, Perëndinë tonë

dhe le të dëgjohet zëri i përlëvdimit.

Ai na jep jetë,

e nuk lejon të na rrëshqasin këmbët.

10 Ti na vure në provë, o Perëndi,

na sprovove si argjendin në zjarr.

11 Na bëre të biem në kurth,

barrë të rëndë na ngarkove.

12 I le njerëzit të na hipin në qafë,

përmes zjarrit dhe ujit kaluam,

por ti na nxore në vend të begatë.

13 Me fli shkrumbimi do të hyj në shtëpinë tënde,

betimet e bëra do t’i mbaj,

14 betimet që shqiptuan buzët e mia,

që goja ime tha kur isha ngushtë.

15 Do të të kushtoj fli të majme shkrumbimi,

bashkë me aromën e deshve që digjen,

qe e cjep do të të flijoj. selah

16 Ejani e dëgjoni të gjithë ju që Perëndinë druani,

do t’ju tregoj ç’bëri për mua.

17 Atij i thirra me gojën time,

me gjuhën time e madhërova.

18 Po të kisha ligësi në zemrën time,

Zoti nuk do të më dëgjonte.

19 Por Perëndia më dëgjoi

dhe e mbajti vesh lutjen time.

20 Bekuar qoftë Perëndia,

që nuk e hodhi poshtë lutjen time

e as nga mirësia e tij nuk hoqi dorë.