Psalmet 65

Mjeshtrit të Korit. Psalm i Davidit. Këngë.

Ty, o Perëndi, të përket lavdia në Sion

dhe për ty do të mbahet betimi.

Te ti, që dëgjon çdo lutje,

do të vijë çdo krijesë.

Paudhësitë ngadhënjyen mbi ne,

por ti na i fal shkeljet.

Lum njeriu që ti zgjedh dhe e afron!

Ai do të banojë në oborret e tua.

Do të kënaqemi me mirësinë e shtëpisë sate,

me tempullin tënd të shenjtë.

Na përgjigjesh me mrekulli e drejtësi,

o Perëndi, shpëtimtari ynë,

shpresa e mbarë skajeve të tokës

dhe e deteve të largët.

Ti i ngul malet me fuqinë tënde,

i ngjeshur me pushtet.

Ti fashit tërbimin e deteve,

ulërimën e valëve të tyre

dhe trazirat e popujve.

Banorët e skajeve të tokës

dridhen nga shenjat e tua.

Në lindje e në perëndim

i bën të brohorasin.

10 Ti kujdesesh për tokën dhe ujin,

shumë të begatë e bën.

Lumi yt është plot, o Perëndi,

ti u jep njerëzve drithin,

ti e bën gati tokën.

11 Hullitë e saj i ngin me ujë,

plisat ia thërrmon,

me shira e zbut,

të mbjellat ia bekon.

12 Ti e kurorëzon vitin me mirësinë tënde,

ku shkel ti rrjedh begatia.

13 Kullotat e shkretëtirës gufojnë prej saj,

kodrinat vishen me hare.

14 Livadhet mbulohen me kope,

luginat me drithë;

brohorasin e këndojnë nga gëzimi.