Psalmet 64

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.

Dëgjoje zërin e rënkimit tim, o Perëndi,

ruaje jetën time prej armikut të tmerrshëm.

Më fshih larg prej kurthit të keqbërësve,

prej turmës së atyre që bëjnë paudhësi.

Gjuhën e kanë mprehur si shpatën,

prej harkut të ndehur lëshojnë fjalë të hidhura,

për të shigjetuar në fshehtësi të përkryerin;

e gjuajnë papandehur e frikë nuk kanë.

I japin forcë njëri-tjetrit për të bërë të keqen,

mendojnë si t’i fshehin kurthet,

thonë: «Kush ka për t’i parë?».

Shestojnë padrejtësi e thonë:

«Jemi gati, kurthin e kemi menduar mirë».

Humnerë e thellë qenia e njeriut

dhe zemra e tij!

Por, Perëndia do t’i shigjetojë

e papritur do t’i mbulojnë plagët.

Gjuha e vet do t’i shkatërrojë,

të gjithë sa do t’i shohin, do të tundin kokën.

10 Mbarë njerëzinë do ta zërë frika,

do të shpallin veprat e Perëndisë,

do të kuptojnë ç’ka bërë ai.

11 I drejti do të gëzohet në Zotin,

e tek ai do të gjejë strehë.

Të gjithë zemërdrejtët do të krenohen.