Psalmet 63

Psalm i Davidit, kur ishte në shkretëtirën e Judës.

O Perëndi, Perëndia im, ty të kërkoj.

Për ty ka etje shpirti im,

ty të dëshiron trupi im

në këtë tokë të thatë, të shkretë e pa ujë.

Në shenjtërore erdha e të sodita,

pashë fuqinë e lavdinë tënde.

Mirësia jote është më e mirë se jeta,

buzët e mia do të të lavdërojnë.

Do të të bekoj gjithë jetën time,

duart do t’i ngre në emrin tënd.

Do të ngihem me gjithë të mirat,

goja ime do të të lavdërojë me buzë të hareshme.

Edhe në shtrat ty të kujtoj,

të kam ndër mend në çdo orë të natës,

se ti më je bërë ndihmë,

nën hijen e krahëve të tu brohoras.

Te ti kapet fort shpirti im,

e djathta jote më mban.

10 Rënçin në thellësi të tokës

ata që duan të më rrënojnë.

11 Rënçin nga tehu i shpatës,

pre u bëfshin për çakejtë.

12 Por mbreti do të gëzohet me Perëndinë.

Kush betohet në emrin e Perëndisë do të fitojë lavdi

dhe goja e gënjeshtarëve do të mbyllet.