Psalmet 62

Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Davidit.

Veç në Perëndinë prehet shpirti im,

prej tij më vjen shpëtimi.

Vetëm ai është shkëmbi e shpëtimi im,

ai është streha ime e më nuk do të trandem.

Deri kur do të vërsuleni kundër një njeriu,

që ta hidhni përtokë të gjithë bashkë,

si murin e shtrembët, si gardhin e prishur?

Kërkojnë t’ia nëpërkëmbin nderin,

gjejnë kënaqësi në gënjeshtra.

Me gojë bekojnë,

por me zemër mallkojnë. selah

Veç në Perëndinë prehu, o shpirti im,

se tek ai kam shpresë.

Vetëm ai është shkëmbi e shpëtimi im,

ai është streha ime e nuk do të trandem.

Te Perëndia është shpëtimi e nderi im,

te Perëndia, kështjella e fortë dhe streha ime.

Ki besim tek ai në çdo kohë, o popull,

hape zemrën përpara tij,

Perëndia është streha jonë. selah

10 Bijtë e njeriut janë veç avull,

kotësi janë bijtë e çdonjërit;

vëri në peshore e do të shohësh

se janë më të lehtë se tymi.

11 Mos kini besim te dhuna,

mos e varni shpresën te grabitja,

edhe kur pasuritë t’ju shtohen,

zemrën mos ua kushtoni.

12 Një herë foli Perëndia,

dy herë unë e dëgjova,

se pushteti i përket Perëndisë;

13 mirësia është e jotja, o Zot,

ti e shpërblen njeriun sipas veprave të tij.