Psalmet 61

Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm i Davidit.

Dëgjoje, o Perëndi, përgjërimin tim,

vëre re lutjen time.

Të thërras nga skaji i tokës,

se më ka lëshuar zemra.

Më pri drejt shkëmbit,

që ngrihet më lart se unë.

Se ti ke qenë streha ime,

kështjellë e fortë përballë armikut.

Përjetë dua të banoj në tendën tënde,

të gjej strehë nën hijen e krahëve të tu. selah

Ti, o Perëndi, i ke pranuar zotimet e mia,

më ke dhënë trashëgiminë e atyre që të druajnë.

Shtoju ditë ditëve të mbretit,

zgjati vitet e tij brez pas brezi.

Mbretëroftë përjetë në prani të Perëndisë,

e ruajtshin mirësia dhe besnikëria jote.

Kështu, do t’i këndoj përherë emrit tënd,

do t’i përmbush zotimet e mia ditë pas dite.