Psalmet 57

Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit, kur mori arratinë prej Saulit e u fsheh në shpellë.

Mëshiromë, o Perëndi, mëshiromë,

se te ti gjen strehë shpirti im,

nën hijen e krahëve të tu gjej strehë,

derisa të kalojë kërcënimi.

Do t’i thërras Perëndisë, të Tejlartit,

Perëndisë, që bën mirësi për mua.

Prej qiellit do ta dërgojë ndihmën

e do të më shpëtojë,

atë që më përndjek do ta turpërojë. selah

Perëndia do të dërgojë mirësinë

dhe besnikërinë e tij.

Shpirti im banon mes luanësh,

gati të përpijnë bijtë e njeriut.

Dhëmbët e tyre janë si heshta e shigjeta,

gjuha e tyre si shpata e mprehtë.

Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi,

le të shndritë lavdia jote mbi tokën mbarë!

U vunë lakun këmbëve të mia

e shpirti m’u drobit,

hapën një gropë para meje,

por ranë vetë brenda. selah

Zemra ime është e fortë, o Perëndi,

e fortë është zemra ime.

Do të këndoj e himne do të thur.

Zgjohu, o lavdia ime!

Zgjohu ti, o harpë dhe lirë,

se dua të zgjoj agimin.

10 Do të të përlëvdoj mes popujve, o Zot,

do të këndoj për ty mes kombeve.

11 Se mirësia jote lartohet deri në qiell,

besnikëria jote deri ndër re.

12 Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi,

lavdia jote mbuloftë tokën mbarë!