Psalmet 53

Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «mahalat». Himn i Davidit.

Thotë i marri në zemrën e tij: «S’ka Perëndi».

Të gjithë janë shthurur,

bëjnë padrejtësi të neveritshme;

askush nuk bën të mirën.

Prej qiellit Perëndia i vështron njerëzit,

për të parë në ka ndonjë të mençur,

që kërkon Perëndinë.

Të gjithë kanë dalë nga udha,

të gjithë janë shthurur,

askush nuk bën të mirën,

as edhe një.

A nuk janë të pamend të paudhët,

që e gëlltitin popullin tim si bukën

dhe Perëndisë nuk i thërrasin?

Atje, ku frikë s’kishte, do të bjerë frika,

Perëndia i shpërndau eshtrat

e atyre që të rrethonin.

Do t’i turpërosh,

se Perëndia i ka hedhur poshtë.

Kush do ta sjellë prej Sionit shpëtimin e Izraelit?

Kur Perëndia ta kthejë popullin e vet nga robëria,

do të gëzojë Jakobi, do të ngazëllejë Izraeli.