Psalmet 51

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Kur erdhi tek ai profeti Natan, pasi Davidi kishte shkuar me Batshebën.

Ki mëshirë për mua, o Perëndi,

në mirësinë tënde,

në dhembshurinë tënde të madhe,

fshiji paudhësitë e mia.

Lamë tërësisht prej fajit tim,

prej mëkatit tim pastromë.

I njoh paudhësitë e mia,

mëkatin tim e shoh përherë.

Ndaj teje, vetëm ndaj teje mëkatova,

bëra ligësi para syve të tu.

Prandaj, je i drejtë në vendimet e tua

dhe i paqortueshëm kur gjykon.

Ja, unë linda në paudhësi,

në mëkat më ngjizi ime më.

Ti e do të vërtetën në brendinë e qenies,

ndaj bëmë të njoh urtinë në thellësitë e mia.

Pastromë me hisop e do të bëhem i pastër,

lamë e do të jem më i bardhë se dëbora.

10 Bëmë të ndiej gëzim e ngazëllim

e do të gëzohen eshtrat që thërrmove.

11 Ktheje fytyrën tënde larg mëkateve të mia

e fshiji tërë fajet e mia.

12 Krijo tek unë një zemër të pastër, o Perëndi,

përtëri brenda meje një shpirt të palëkundur.

13 Mos më dëbo nga prania jote

e mos ma hiq shpirtin tënd të shenjtë.

14 Kthema gëzimin e shpëtimit tënd

dhe kalit në mua një shpirt vullnetmirë.

15 Do t’u mësoj ligjshkelësve udhët e tua

e mëkatarët do të kthehen te ti.

16 Shpëtomë nga gjakderdhja, o Perëndi,

Perëndia i shpëtimit tim,

gjuha ime do të brohorasë për drejtësinë tënde.

17 Zot, hapi buzët e mia

e goja ime do të shpallë lavdinë tënde.

18 Po ta doje flinë do ta sillja,

por flija e shkrumbimit nuk të pëlqen.

19 Fli për Perëndinë është shpirti i penduar;

zemrën e thyer e të copëtuar,

o Perëndi, ti nuk e përbuz.

20 Bëji mirë Sionit në mirëdashjen tënde,

ndërtoji muret e Jerusalemit.

21 Atëherë do t’i pëlqesh flitë e drejtësisë,

fli shkrumbimi e fli të djegura tërësisht;

atëherë do të kushtojnë viça mbi altarin tënd.